Thjerrëza të Kuqe – Receta e Shëndetshme me Shije të Mrekullueshme

11.1k 0

E pasur në vlera ushqyese dhe me shije fantastike gjithashtu, kjo recetë, e cila përgatitet shumë lehtë do t’ju mrekullojë e do t’ju drejtojë menjëherë drejt tryezës.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë hapat e thjeshtë të përgatitjes së kësaj recetë lehtë dhe shpejt në shtëpi.

Përgatitja e Thjerrëzave të Kuqe

(Receta më poshtë është për 4-5 persona)

  • 400 gr thjerrëza të kuqe
  • Dy lugë vaj ulliri
  • Një lugë gjalpë të freskët
  • 1 kokërr qepë
  • 2 lugë gjelle salcë domateje
  • Kripë
  • 1 spec të vogël djegës të kuq
  • Lëngu i një limoni

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju këshillon të shpëlani thjerrëzat me ujë të ftohtë.

Më pas kullojini dhe lërini mënjanë.

Vendosni një tenxhere në zjarr, shtoni aty gjalpin dhe vajin e ullirit.

Sapo gjalpi të tretet shtoni qepën e grirë hollë kaurdiseni derisa volumi i qepës të bjerë.

Më pas shtoni salcën e domates, kaurdiseni e më pas thjerrëzat, kaurdisini për shumë pak, shtoni kripën, nëse keni shafran indie shtoni një lugë çaji, shtoni ujë rreth 1 litër e pak dhe lërini të ziejnë në zjarr shumë të ngadaltë.

Lërini të ziejnë derisa supa të trashet për 30 minuta. Herë pas herë kontrollojeni nëse uji ka shteruar e nëse është e domosdoshme shtoni edhe pak ujë tjetër.

Nëse preferoni, pasi supa të jetë gati mund ta kaloni në mikser në mënyrë që supa të bëhet kremoze.

Kur ta servirni largoni specin djegës nga supa, dhe spërkateni me pak vaj ulliri apo gjalpë të freskët të tretur dhe lëng limoni gjithashtu.

Supa me thjerrëza të kuqe shoqërohet në mënyrë fantastike me sallata të freskëta të stinës, perime të pjekura, bukë të thekur apo edhe turshi të përgatitura vetë në shtëpi gjithashtu./AgroWeb.org