Plani i Investimit për Evropën – Edhe 800 milionë Euro të tjera për SME-të Ndërkohë që EIF dhe ProCredit Dyfishojnë Mbështetjen për Kompanitë Novatore

627 0

Fondi Evropian i Investimeve (EIF) dhe Grupi ProCredit ofrojnë edhe 800 milionë Euro të tjera për kompanitë e vogla dhe të mesme (SME) novatore, duke u sjellë kompanive të njëmbëdhjetë vendeve 1.62 miliardë Euro gjithsej.

Ky financim i mbështetur nga EIF është tashmë në dispozicion përmes bankave ProCredit në Evropën Lindore dhe Juglindore dhe ka në fokus kompanitë që përdorin teknologji të reja dhe që prodhojnë produkte të reja në secilin prej njëmbëdhjetë vendeve që mbulon ky program (Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, Gjeorgji, Gjermani, Greqi, Moldavi, Republika e Maqedonisë së Veriut, Rumani, Serbi dhe Ukrainë). Deri tani, marrëveshjet me ProCredit-in kanë mbështetur rreth 2,000 SME novatore, kryesisht në sektorët e Prodhimit dhe Tregtisë me Shumicë dhe me Pakicë dhe shumë të tjera do të financohen në vitet në vijim.

Këto marrëveshje janë nënshkruar nën kuadrin e nismës InnovFin të Komisionit Evropian, me mbështetjen e programit të BE-së për kërkime dhe novacione, Horizon 2020. Nisma InnovFin u jep mundësi bankave pjesëmarrëse t’u japin kredi kompanive novatore, duke pasur si mbështetje një garanci të dhënë nga EIF.

Marrëveshjet e nënshkruara në vendet anëtare të BE-së janë mundësuar me mbështetjen e Fondit Evropian për Investime Strategjike (EFSI). EFSI është shtylla qendrore e Planit të Investimit të Komisionit Evropian për Evropën, i njohur gjithashtu si “Plani Juncker”.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Jyrki Katainen, përgjegjës për Punësimin, Rritjen, Investimet dhe Konkurrueshmërinë, tha: “Dy vjet pas shpalljes së fondit prej 820 milionë Euro për SME-të në njëmbëdhjetë vende, Fondi Evropian i Investimeve dhe ProCredit po e dyfishojnë mbështetjen e tyre financiare, që do të thotë se janë tashmë 1.62 miliardë Euro në dispozicion për financimin e kompanive të vogla dhe të mesme në të gjitha këto vende. Kjo mbështetje e vazhdueshme dhe në rritje nga BE-ja do të shënojë një dallim të prekshëm për mijëra persona me ide novatore biznesi, të cilët kanë nevojë për financim, përveç 2000 SME-ve që kanë përfituar tashmë nga kjo skemë.”

Shefi Ekzekutiv i EIF, Pier Luigi Gilibert tha: “Jemi të kënaqur që marrëveshjet për garancinë InnovFin për SME-të me bankat ProCredit po japin rezultate kaq pozitive. Rrjeti i konsoliduar i shpërndarjes i ProCredit, kombinuar me ekspertizën e kësaj banke në dhënien e kredive për SME-të, garanton që kreditë e mbështetura nga KE-ja të mund të jepen në mënyrë të shpejtë në të njëmbëdhjetë territoret. Këto transaksione do t’i ndihmojnë këto kompani në marrjen e financimeve me mbështetje të BE-së me qëllim çuarjen përpara të axhendës së novacionit në të gjithë Evropën.”

Dr. Claus-Peter Zeitinger, Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të ProCredit Holding shtoi: “Zgjerimi i marrëveshjes sonë përbën një sinjal të rëndësishëm për grupin tonë. Ai u tregon klientëve tanë se investimet nga SME-të novatore në Evropën Lindore dhe Juglindore do të vazhdojnë të mbështeten nga BE-ja, si dhe tregon gjithashtu se kontributi që japin bankat ProCredit për zhvillimin në vendet e tyre po njihet nga BE-ja”.

Rreth EIF

Fondi Evropian i Investimeve (EIF) është pjesë e Grupit të Bankave Evropiane për Investim. Misioni i tij kryesor është mbështetja e bizneseve mikro, të vogla dhe të mesme të Evropës (SME), duke i ndihmuar ato me mundësi financimi. EIF projekton dhe zhvillon kapitalin fillestar dhe atë të rritjes, instrumente garancie dhe instrumente mikrofinancime, të cilat synojnë specifikisht këtë segment të tregut. Në këtë rol, EIF nxit objektivat e BE-së në mbështetje të novacionit, kërkimeve dhe zhvillimit, sipërmarrjes, rritjes dhe punësimit. Më shumë informacion për punën e EIF në kuadrin e EFSI mund të gjendet këtu.

Rreth Grupit ProCredit

ProCredit Holding AG&Co. KGaA, me qendër në Frankfurt am Main, Gjermani, është kompania mëmë e grupit ndërkombëtar ProCredit, i cili përbëhet nga banka për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME), fokusi operacional i të cilit është Evropa Lindore dhe Juglindore. Përveç këtij fokusi rajonal, grupi ProCredit është gjithashtu i pranishëm në Amerikën e Jugut dhe në Gjermani. Aksionet e kësaj kompanie tregtohen në segmentin Prime Standard të Bursës së Frankfurtit. Aksionerët kryesorë të ProCredit Holding AG&Co. KGaA përfshijnë investitorët strategjikë Zeitinger Invest dhe ProCredit Staff Invest (i cili përbëhet nga instrumentet e investimit për stafin e ProCredit), Dutch DOEN Participaties BV, Banka e Zhvillimit KfW, si dhe IFC (pjesë e Grupit të Bankës Botërore). Si nënkompani e grupit, sipas ligjit gjerman për bankat, ProCredit Holding AG&Co. KGaA mbikëqyret në nivel të konsoliduar nga Autoriteti Federal Gjerman për Mbikëqyrjen Financiare (Bundesanstalt für Finanzdienstleistungsaufsicht, BaFin) dhe nga Banka Qendrore Gjermane. Më shumë informacion mund të gjendet në faqen zyrtare të kompanisë në www.procredit-holding.com.

Rreth Planit Juncker

Plani i Investimeve për Evropën, i ashtuquajturi “Plani Juncker”, është një prej prioriteteve kryesore të Komisionit Evropian. Ai fokusohet te nxitja e investimeve për krijimin e punëve të reja dhe rritjen përmes përdorimit më inteligjent të burimeve të reja dhe burimeve financiare ekzistuese, eliminimit të pengesave ndaj investimeve, si dhe rritjes së vizibilitetit dhe asistencës teknike për projektet e investimeve.

Fondi Evropian për Investimet Strategjike (EFSI) përbën shtyllën qendrore të Planit Juncker. Ai ofron një garanci të parë për humbjen, duke i dhënë mundësi Bankës Evropiane për Investime të investojë në më shumë projekte, shpesh me më shumë rrezik. Projektet dhe marrëveshjet e miratuara për t’u financuar në kuadrin e EFSI-t deri tani pritet të mobilizojnë pothuajse 410 miliardë Euro në investime dhe të mbështesin rreth 952,000 SME në të 28 Shtetet Anëtare.

Rreth InnovFin

Programi InnovFin i Garancive për SME-të  është themeluar në kuadrin e “Financimeve InnovFin të BE-së për Novatorët”, ngritur si pjesë e Horizon 2020, Programit Kuadër të BE-së për Kërkime dhe Novacion. Ai ofron garanci dhe kundër-garanci për financimin e borxheve në shumat nga 25 mijë Euro deri në 7.5 milionë euro me qëllim përmirësimin e aksesit në financimin e kredive për sipërmarrjet novatore të vogla dhe të mesme, si dhe për ndërmarrjet e vogla deri mesatare (me më pak se 500 punonjës).

Ky instrument menaxhohet nga EIF dhe realizohet përmes ndërmjetësve të ndryshëm financiarë – banka dhe institucione të tjera financiare – në Shtetet Anëtare të BE-së dhe në vendet me statusin e asocimit. Në kuadrin e këtij instrumenti, ndërmjetësit financiarë garantohen nga BE-ja dhe EIF përkundrejt një pjese të humbjeve që mund të kenë nga financimi i borxheve që mbulon ky instrument./Agroweb.org