Mish Viçi i Shuar me Verë të Kuqe – Receta me Shije të Veçantë

5.2k 0

Mishi i viçit është një nga produktet më të konsumuara në Shqipëri.

Në fakt, deri pak kohë më parë, gjellërat e ndryshme nuk imagjinoheshin dot pa mish.

Ndonëse ekspertët rekomandojnë kufizimin e konsumit të mishit të kuq, ata nuk përjashtojnë mundësinë që ky i fundit të konsumohet herë pas here por pa e tepruar.

Një nga recetat më të shëndetshme dhe më të shijshme të mishit është ai i shuar me verë të kuqe, të cilën do ta gjeni më poshtë në këtë artikull të AgroWeb.org

Përbërësit

  • Vaj ulliri për skuqje,
  • 1 kg mish viçi i freskët, tul i plotë i prerë në kubikë,
  • 3 lugë gjelle me miell,
  • 2 qepë të mëdha të grira hollë,
  • 600 gramë karrota të prera në shiritë të vegjël (nëse preferoni),
  • 4 thelbinj hudhër të shtypur,
  • Një gotë verë e kuqe
  • 850 ml lëng mishi
  • 3 gjethe dafine,
  • Disa degëza trumzë të freskët
  • Patate për servirje

Përgatitja:

Merrni një tigan të thellë dhe vendoseni në zjarr.

Hidhni në të një lugë gjelle vaj ulliri.

Në një enë tjetër, hidhni copat e mishit, spërkatini me miell dhe erëza dhe më pas skuqini me rradhë, duke shtuar nga pak vaj ulliri herë pas here.

Pasi t’i keni skuqur copat e mishit, transferojini ato në një tenxhere.

Në tigan, vazhdoni të skuqni qepët dhe karrotat për 10-12 minuta deri sa të fillojnë të marrin një ngjyrë kafe të çelët.

Shtoni hudhrën dhe kaurdiseni për një minutë dhe më pas verën e kuqe.

Pas 60 sekondash, lëngun me karrotë, qepë dhe verë hidhini në tenxheren e mishit.

Shtoni lëngun e mishit, gjethet e dafinës dhe trumzën dhe lërini të marrin valë.

Më pas uleni temperaturën, mbyllni kapakun e tenxheres dhe lëreni gjellën të gatuhet për dy orë e gjysmë deri sa mishi të jetë zbutur.

Nëse salca duket e hollë, hiqeni kapakun nga tenxherja dhe lëreni të ziejë zbuluar që të trashet.

Më pas hiqeni nga zjarri dhe nëse dëshironi gjellën mund ta servirni me patate të ziera ose pure patatesh. /AgroWeb.org