Patate të Pjekura me Krem Qumështi – Receta me Shije Fantastike

3.7k 0

Një recetë perfekte e cila me aromën e saj do t’i tërheqë të gjithë pranë tryezës.

Në dy hapa ju do të keni përgatitur një drekë të shijshme dhe të plotë e cila mund të shoqërohet me çdo sallatë.

Të përgatitura me krem qumështi, patatet arrijnë të zbuten plotësisht por pa e humbur formën e tyre.

Vetëm kini kujdes pasi është një ushqim kalorik të mos e shkelni me sasinë që konsumoni.

AgroWeb.org ju këshillon që për këtë recetë të zgjidhni patatet e reja ose ato të vogla.

Përbërësit

  • 3 lugë gjelle gjalpë
  • 3 lugë gjelle me miell
  • Një lugë e gjysmë me kripë
  • Një majë luge piper i zi
  • 2 gota me qumësht
  • 1 gotë me djathë kaçkavall të grirë
  • 6 patate mesatare te reja ose 8-9 patate te vogla
  • Gjysmë qepe

Përgatitja

Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të qëroni dhe të prisni në feta jo shumë të trasha patatet.

Mbushni një tas me ujë dhe futini fetat e patateve aty kështu do të largoni niseshtenë e tepërt që ato kanë.

Ndërkohë në zjarr vendosni një tenxhere dhe hidhni gjalpin që të shkrihet.

Më pas shtoni dhe miellin dhe me një lugë druri përzjejeni mirë në temperaturë të ulët.

Hidhni kripën dhe piperin dhe skuqeni derisa të jetë formuar një pastë e njëtrajtshme.

AgroWeb.org ju këshillon që tani të shtoni ngadalë qumështin dhe ta lini të kthejë një valë.

Pasi të ketë valuar lëreni të ziejë dhe për dy minuta të tjera, në mënyrë që masa të trashet.

Largojeni nga zjarri dhe shtoni aty djathin e grirë kaçkavall dhe përzjejeni derisa ai të ketë shkrirë.

Qëroni qepën dhe grini vetëm gjysmën e saj.

Shtojeni qepën tek kremi i qumështit dhe pasi ta keni përzierë shtoni fetat e patates.

Merrni një tavë dhe lyejeni me pak gjalpë ose vaj ulliri sipas preferencës dhe aty hidhni masën që përgatitët.

Piqeni tavën për 30-40 minuta ose derisa patatet të jenë zbutur plotësisht.

Pasi sipërfaqja të ketë marrë një ngjyrë të artë hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet, në mënyrë që të mpikset.

Më pas priteni dhe servireni për të gjithë të dashurit tuaj.

Mund ta ruani edhe në frigorifer, mjafton që ta mbuloni me qese kuzhine dhe ta fusni në frigorifer./AgroWeb.org