Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në vitin 2018, numri i vdekjeve nga tumoret në vendin tonë pësoi një rritje me 1.4 përqind.
Këto statistika të INSTAT tregojnë se në vitin 2018, 3,695 persona humbën jetën si pasojë e këtyre sëmundjeve.
INSTAT shpjegon se në prevalencën e sëmundjeve, tumoret zënë 16.9 përqind të vdekjeve.
Kësisoj, ato renditen në grupin e dytë të sëmundje me vdekshmëri të lartë në vend.
Në vend të parë renditen sëmundjet kardiovaskulare.
Ekspertët thonë se tumoret po prekin gjithnjë e më shumë grupmoshat nga 40 në 60 vjeç. Niveli i vdekshmërisë nga tumoret në këtë grupmoshë është 40 përqind.
Llojet Më Të Përhapura Të Tumoreve Në Shqipëri
Mjekët shpjegojnë se vdekjet nga tumoret në aparatin tretës (sidomos ai i zorrës së trashë) zënë peshën më të madhe në vdekshmërinë nga sëmundjet kancerogjene.
Tumoret në sistemin tretës zënë 34.5 përqind në listën e vdekshmërisë nga këto sëmundje.
Ndërkaq, vdekjet nga tumoret në sistemin e frymëmarrjes përbëjnë 24.1 përqind të rasteve.
Ekspertët kanë shprehur shqetësim për faktin se çdo vit në vendin tonë po diagnostifikohen më shumë raste të reja të njerëzve të prekur nga tumoret.
Shenjat Paralajmëruese Të Kancerit Të Zorrës Së Trashë
Në fazat fillestare të kancerit të zorrës së trashë, sëmundja nuk shfaqet me simptoma dhe kjo është arsyeja përse vizita tek mjeku është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Ekspertët rekomandojnë që njerëzit mbi 50 vjeç të ekzaminohen tek mjeku çdo një deri në dy vjet.
Shenjat paralajmëruese të sëmundjes vdekjeprurëse janë:
Jashtëqitje problematike në formën e diaresë që zgjat për javë të tëra.
Gjakderdhje,
Anemi e pashpjegueshme që shoqërohet me plogështi dhe rënie nga pesha,
Gjëndra ose enjtje në pjesën abdominale.
Dhimbje abdominale.
Nëse këto simptoma zgjasin më shumë se dy javë, atëherë duhet të konsultoheni menjëherë me një mjek./AgroWeb.org