Kujdesi Për Ushqimin e Fëmijëve – OBSH Ngre Alarmin Për Nivelin e Lartë të Sheqerit

653 0

Një raport i Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka ngritur alarmin mbi nivelin e lartë të sheqerit në produktet ushqimore për bebe.

Ekspertët e OBSH kanë analizuar plot 8000 produkte ushqimore të gjendura në 500 dyqane në Bullgari, Austri, Izrael dhe Hungari.

“Në gjysmën e produkteve të ekzaminuara, rreth 30% e kalorive vijnë nga sheqernat e plotë dhe një e treta nga ëmbëlsues të tjerë,” thuhet në raport.

OBSH nënvizoi se frutat dhe perimet (që përmbajnë sheqerna natyralë) janë të përshtatshme për fëmijët.

Megjithatë, produktet industriale të ëmbëlsuara kanë nivele të larta e shqetësuese sheqeri.

Kësisoj, ato bëhen të dëmshme për shëndetin e fëmijëve.

Rreziqet e Sheqerit tek Shëndeti i Fëmijëve

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nivelet e larta të sheqerit rrisin rrezikun e mbipeshës dhe kavitetit të dhëmbëve tek fëmijët në fazat e para të jetës.

Ekspozimi i hershëm ndaj produkteve të ëmbëlsuara mund të krijojë varësi ndaj sheqerit në të ardhmen.

Kësisoj, kur të rriten, fëmijët janë më të predispozuar të kenë si zgjedhje të parë ushqimet me nivel të lartë sheqeri.

Ushqyerja e Shëndetshme Për Foshnjat

Ushqyerja e mirë në fazat e para të jetës dhe në fëmijëri është e një rëndësie të veçantë për rritjen dhe zhvillimin e njeriut, thotë OBSH.

Sipas Organizatës, në 60% të rasteve, ushqimet e inspektuara përmbanin etiketa ku shkruhej se ato ishin të përshtatshme për fëmijë nën 6 muaj.

Kjo bie ndesh me udhëzimet e OBSH-së, sipas të cilave në gjashtë muajt e parë të jetës, foshnjat duhet të ushqehen vetëm me qumësht gjiri.

OBSH insiston që praktika e zëvendësimit të qumështit të gjirit me produkte të tjera duhet të marrë fund dhe së fëmijët nga 6 muaj në 2 vjeç duhet të ushqehen me produkte të shëndetshme të përgatitura në shtëpi e jo të gatshme.

Organizata ka kërkuar ndalimin e sheqernave dhe ëmbëlsuesve në ushqimet për bebe.

Gjithashtu, ajo kërkon që në lëngjet e frutave dhe qumështin e kondensuar të shkruhet qartë se këto produkte nuk janë të përshtatshme për fëmijët nën moshën 3 vjeç./AgroWeb.org