Biskota të Buta me Mollë – Shije dhe Aromë e Mrekullueshme

8.9k 0

Ndër ëmbëlsirat më të lehta në shije dhe përgatitje pa dyshim që janë biskotat.

I gjeni kudo, në çdo libër recetash me kombinime nga më të ndryshmet për të kënaqur secilin.

Mund t’i konsumoni në çdo vakt nga mëngjesi deri në darkë dhe janë perfekte për tu ngrënë si nga fëmijët e deri tek të moshuarit.

Kështu që përgatitja e tyre në shtëpi është thuajse e domosdoshme për të gjithë familjen.

Në këtë recetë AgroWeb.org ju tregon se si të përgatisni biskotat më të buta fare lehtë në fare pak kohë.

Hiqni dorë nga ato të dyqaneve dhe përgatisni një version më të shëndetshëm dhe sipas shijeve tuaja.

Përbërësit

  • 350 gr miell
  • 100 gr sheqer
  • 100 gr gjalpë
  • 2 vezë
  • 2 mollë
  • 1 pako fryrës për ëmbëlsira (16 gr)
  • sheqer pluhur
  • kanellë pluhur

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon të filloni me përzierjen e vezëve me anë të një rrahësi elektrik.

Shtoni më pas sheqerin dhe gjithnjë duke përzier, hidhni edhe gjalpin e butë në temperaturë ambienti.

Bëjeni këtë derisa i gjithë sheqeri të ketë shkrirë dhe të gjithë përbërësit të keni një masë të njëtrajtshme.

Më pas shtoni miellin pak nga pak dhe përzieni me anë të një luge, derisa të arrini një masë brumi kremoze dhe pa kokrra.

Ndërkohë qëroni dhe prisni mollët në katrorë të vegjël dhe hidhini tek brumi i biskotave.

Më pas zgjidhni një tavë mesatare dhe shtrojeni me letër pjekje.

Tek tava, hidhni me kujdes një lugë me brumë në mënyrë që të formoni një biskotë.

Brumi duhet të jetë i trashë në mënyrë që të mos të hapet, bëjeni këtë proces me të gjithë brumin që ju ndodhet në enë.

Vendosini të gjitha biskotat tuaja me pak hapësirë nga njëra tjetra pa u shqetësuar për formën e tyre të çrregullt, pasi është karakteristike për këto biskota.

Futeni tavën në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë C dhe lëreni të piqet për 20 minuta.

Kur biskotat të kenë marrë ngjyrë të artë nxirrini nga furra dhe vendosini në një pjatë të pastër.

Hidhini sipër pak sheqer pluhur dhe kanellë dhe mund t’i konsumoni në çdo kohë të ditës./AgroWeb.org