Si të Frenoni Dëshirën për Ushqime të Shpejta e të pa Shëndetshme

965 0

Ushqimet e shpejta mund të jenë të shijshme ama përveç se krijojnë varësi, janë të dëmshme për shëndetin në shumë mënyra.

Përveç mbipeshës, ushqimet e shpejta shkaktojnë probleme jo vetëm me imunitetin por edhe nxisin sëmundjet e zemrës, veshkave, mëlçisë, trurit dhe stomakut.

Si Të Frenoni Nepsin Për Ushqime Të Shpejta

Një gjë e tillë kërkon vullnet dhe logjikë.

Nëse ekspozoheni më pak ndaj këtyre ushqimeve do të jetë më e lehtë sepse fundja larg syrit, larg stomakut.

Përveç ekspozimit, ju duhet të tregoni kujdes në ushqyerje duke zgjedhur ushqime të shëndetshme dhe planifikuar regjimin tuaj ushqimor për çdo javë.

Në punë a në shkollë mund të merrni ushqim me vete nga shtëpia dhe kështu do të shmangni dëshirën për të ngrënë diçka të shpejtë.

Stresi është një faktor që të shtyn drejt zgjedhjeve jo të shëndetshme.

Nëse falë stresit keni ngrënë gjithmonë ushqime të shpejta, përpiquni dhe angazhohuni që të ndryshoni një qasje të tillë.

Nëse kur jeni të stresuar dëshironi patate të skuqura, në vend të tyre mund të hani një perime siç është kastraveci që është jo vetëm hidratues por edhe shumë i shëndetshëm.

Gjumi është një aspekt shumë i rëndësishëm i qasjes së shëndetshme ndaj ushqyerjes.

Sigurohuni që të flini të paktën 7 deri në 8 orë çdo natë.

Një rutinë e shëndetshme gjumi, do ju ndihmojë të jeni më të vullnetshëm por edhe të shmangni shumë nepse të pashëndetshme.

Kujdes Me Emocionet

Emocionet, edhe ato të nxitura nga stresi, na shtyjnë drejt zgjedhjeve impulsive dhe jo të shëndetshme.

Kur jeni të zemëruar, të stresuar, apo të mërzitur, qëndroni larg vitrinave joshëse të restoranteve që ofrojnë ushqime të shpejta.

Është në dorën tuaj të ndërroni drejtim dhe pavarësisht emocioneve të siguroheni që të hani më shumë sallata, fruta, perime, drithëra të plota, supa, fara dhe yndyrna të shëndetshme.

Frutat mund t’i merrni me vete në punë a në shkollë dhe të merrni dozat e nevojshme për vitamina dhe minerale.

Në vend të lëngjeve të gazuara, me sheqer dhe kafeinë, zgjidhni ujin, që ju hidraton dhe ju mban në formë.

Mbi të gjitha, mos u demoralizoni nëse vëreni që ndonjëherë i dorëzoheni tundimit për një ushqim të shpejtë.

Konsumi i një vakti të shpejtë në javë është një qasje e shëndetshme dhe mbi të gjitha jo drastike./AgroWeb.org