Stresi i lidhur me punën ka një prevalencë të lartë te punonjësit në Shqipëri.
Ky është konkluzioni i një studimi të fundit nga Fondacioni Friedrich Ebert, i cili shton se, stresi i përjetuar nga punonjësit ka potencialin të ndikojë negativisht në cilësinë e jetës së tyre.
Studimi u përqendrua në Tiranë dhe në të u përfshinë 800 persona të punësuar.
Për të matur nivelin e stresit, u përdor Shkalla e Stresit në Punë dhe për të gjetur faktorët u hartua një pyetësor, i cili përmban shkaktarë të stresit në punë të identifikuar nga studime të kryera në vende të tjera.
Sipas formës së matjes së Shkallës së Stresit në Punë, një pjesë e konsiderueshme e punonjësve (48.5%) përjetojnë stres të nivelit të moderuar dhe 12.4% e punonjësve, stres të nivelit problematik.
Të dhënat e përftuara tregojnë se femrat (51.5%) janë më të prira se meshkujt (43.3%) për të përjetuar stres të nivelit të moderuar, por nuk kanë diferencë me ta në përjetimin e stresit të nivelit problematik (femrat 12.4%, meshkujt 12.6%).
Sipas studimit, një shpjegim i mundshëm mbi këtë fakt është se pavarësisht nga profesioni, femrat janë më të ekspozuara se meshkujt ndaj disa faktorëve stresues siç janë rolet e shumëfishta, pengesat për një karrierë normale dhe diskriminimi.
Arsyet
Gjetjet e studimit sugjerojnë gjithashtu se kushtet jo të mira fizike; ngarkesa e punës; orët e zgjatura të punës; rreziku fizik në punë; përgjegjësia për njerëzit e tjerë; promovimi përtej mundësive; mungesa e sigurisë në punë; marrëdhënie negative me shefin apo kolegët; komunikimi i papërshtatshëm me shefin apo kolegët; dhe mungesa e pushimeve në punë nuk ndikojnë në rritjen e nivelit të stresit tek punonjësit.
Ndërsa faktorë si presioni i kohës; paqartësia e rolit; konflikti i rolit; mungesa e promovimit; vështirësia në delegimin e punëve; puna jo e mirë në grup; mungesa e pjesëmarrjes në vendimmarrje; trajtimi i pabarabartë në punë; angazhimi në detyra të vështira; dhe niveli ulët i pagës, ndikojnë në rritjen e nivelit të stresit tek punonjësit./Burimi:Monitor