Si T’i Mbrojmë Gjyshërit Tanë Në Këto Kohë Të Vështira?

471 0

Në këtë situatë pandemie, të gjithë bien dakord për një gjë të vetme: të moshuarit duhet të jenë prioriteti ynë kryesor.

Të dhënat e konfirmuara nga ekspertët në mbarë globin tregojnë pa asnjë mëdyshje se mosha e tretë përballet me rrezikun më të lartë të infektimit nga COVID-19.

Për më tepër, vdekshmëria nga COVID-19 është në nivele më të larta tek pacientët e kësaj grupmoshe.

Në Kinë, zanafilla e pandemisë, 15% e pacientëve mbi 80 vjeç të prekur nga virusi, kanë humbur jetën.

Si T’i Mbrojmë Gjyshërit Tanë Në Këto Kohë Të Vështira?

Në këto kushte, të gjithë grupmoshat po hasin vështirësi, por vështirësia më e madhe qëndron në bindjen e të moshuarve që ta marrin seriozisht infeksionin dhe virusin.

Më poshtë, do të gjeni disa këshilla nga AgroWeb.org për të mbrojtur gjyshërit tanë nga infeksioni.

Shmangni Turmat Dhe Vendet Publike

Me fjalë të tjera: qëndroni në shtëpi. Qëndroni në shtëpi. Qëndroni në shtëpi.

Përsëriteni këtë këshillë dhe tua themi çdo ditë.

COVID-19 është lehtësisht i transmetueshëm nga njëri tek tjetri, pavarësisht nëse ka apo jo simptoma.

Gjyshërit duhet të qëndrojnë në shtëpi. Pikë!

Lani Duart

Virusi transmetohet lehtësisht nëpërmjet prekjes, kollës, tështimës dhe piklave të sekrecioneve të lëshuara në ajër.

Për pasojë, duart duhen larë shpesh me ujë dhe sapun dhe më pas duhen disinfektuar me solucion me përmbajtje të lartë alkoli.

Shtëpia, veçanërisht sipërfaqet që preken më shpesh, si dorezat, pulti, tavolina, lavamani, karrikja dhe telefoni, duhen disinfektuar shpesh.

Nëse gjyshërit nuk e dinë rregullin e larjes së duarve për 20 sekonda, insistoni tua tregoni me durim, pavarësisht kryeneçësisë.

Kujdes Me Simptomat.

Temperatura e trupit duhet matur dy herë në ditë.

Temperatura e lartë është një nga simptomat më të hershme të infeksionit.

Njerëzit që kanë temperaturë të lartë, kolliten shpesh dhe kanë vështirësi në frymëmarrje duhet të telefonojnë menjëherë në numrin 127.

Mos shkoni në urgjencë. Telefononi dhe ndiqni këshillat e mjekëve.

Furnizimet Ushqimore dhe Medikamentet.

Sigurohuni që gjyshërit tuaj kanë mjaftueshëm ushqime dhe medikamentet e nevojshme në shtëpi.

Të moshuarit nuk duhet të dalin nga shtëpitë, as për të bërë pazar.

I takon brezit të ri që tu vijë atyre në ndihmë dhe të përkujdeset për ta në këto kohë dramatike.

E një rëndësie të veçantë është shprehja e dashurisë dhe mbështetjes për moshat e treta.

Nëse edhe ju jeni të izoluar, mos harroni tu telefononi çdo ditë jo vetëm për t’i pyetur për shëndetin dhe nevojat por edhe për tu thënë që i doni shumë./AgroWeb.org