Ushqyerja e duhur dhe gjithëpërfshirëse është e një rëndësie thelbësore për jetëgjatësinë.
Njerëzit në moshën e tretë shpesh e anashkalojnë rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme dhe nuk marrin mjaftueshëm ushqyes apo kalori.
Si Ndikon Plakja Tek Oreksi
Ndryshimet fiziologjike që pëson njeriu gjatë plakjes mund të pakësojnë nevojën për kalori që pasohet nga oreksi i munguar dhe tjetërsim i fizikut.
Ndryshimet hormonale dhe zbehja e shqisave, veçanërisht të nuhatjes apo shijes, e bën moshën e tretë të ndihet e ngopur edhe me një kafshatë.
Po të marrim në konsideratë depresionin, mungesën e pavarësisë, izolimin social, ushqimi humbet rëndësinë e vet dhe njerëzit e moshës së tretë thjesht nuk janë më të uritur.
Faktorë të tjerë që ndikojnë në ushqyerjen e keqe tek mosha e tretë janë sëmundjet kronike.
Sëmundjet e zemrës, ishemia, Parkinsoni, kanceri, diabeti dhe skleroza mund të ndikojnë negativisht tek oreksi, energjia dhe pesha.
Barnat e ndryshme që merr një person i moshës së tretë mund të ndërveprojnë negativisht me ushqyesit duke shkaktuar efekte anësore si të vjella por edhe ndryshime në nuhatje dhe shije.
Si Ta Ndihmojmë Moshën e Tretë Të Ushqehet Më Mirë
Strategjitë e mëposhtme, sipas ekspertëve të Harvardit të cilëve u referohet AgroWeb.org, janë efikase për ushqyerjen e shëndetshme për moshën e tretë jo vetëm gjatë pandemisë por edhe më tej.
Ekspertët sugjerojnë që gjysma e pjatës në një vakt duhet të jetë e mbushur me perime të freskëta, çereku me drithëra të plota dhe çereku tjetër me proteinë siç është peshku, mishi i pulës, fasulet apo vezët.
Sa i përket yndyrnave, ato më të shëndetshme mbeten vaji i ullirit, vaji i kikirikut, vaji i avokados por edhe salmoni dhe sardelet.
Fibra është shumë e rëndësishme për organizmin në çdo moshë. Ajo mban sistemin tretës në formë dhe ul rrezikun e diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve të zemrës.
Njerëzit mbi 50 vjeç duhet të konsumojnë nga 21 në 30 gramë fibër në ditë.
Pjesa më e madhe e frutave, perimeve, drithërave, legumeve dhe arrorëve janë burime shumë të pasura të fibrës.
Disa njerëz thonë se kanë më shumë oreks në mëngjes se në mbrëmje. Nëse është kështu, atëherë gjyshi apo gjyshja juaj duhet të hanë një mëngjes të shëndetshëm sa më të pasur me proteinë, drithëra dhe fruta./AgroWeb.org