Trileçja Shqiptare në Listën e Ëmbëlsirave më të Mira Evropiane

1.7k 0

Shqipëria sigurisht që ka receta të shumta ëmbëlsirash të cilat janë trashëguar brez pas brezi.

Por këto receta marrin më shumë kënaqësi kur edhe të huajt i vlerësojnë si ndër më të mirat.

Një nga artikujt që AgroWeb.org ka hasur kohët e fundit, lidhet pikërisht me listën e ëmbëlsirave evropiane.

Autorja e shkrimit e rendit kulinarinë si vlerë të shtuar të çdo vendi, dhe meqë asaj i pëlqejnë ëmbëlsirat ka bërë një vlerësim për më të shijshmet.

Mes bakllavasë turke, akullores dhe tiramisusë italiane, roleve me kanellë që vijnë nga Suedia, apo tortës klasike me çokollatë vieneze është edhe trileçja shqiptare.

Ajo e përshkruan ëmbëlsirën tonë të dashur si një delikatesë që përshkruan sa më mirë efektin e misterit që shoqëron Ballkanin.

Autorja shkruan edhe për faktin që këtë ëmbëlsirë mund ta gjesh kudo nëpër pastiçeritë e vendit, duke e bërë të mundur shijimin e saj sa herë ju kap nepsi.

Gjithashtu kjo kritike ushqimi thekson faktin që Shqipëria ishte vend i parë i cili e përhapi recetën e trileçes në Ballkan dhe Turqi.

Ndaj dhe e karakterizon si ëmbëlsirë shqiptare edhe pse origjina e saj është nga Amerika Latine.

Më poshtë gjeni recetën e plotë të kësaj ëmbëlsire për ta shijuar me miqtë e të afërimt tuaj.

Si të përgatisim Trileçen në shtëpi 

Përbërësit

  • 1 l qumësht
  • 500 ml krem qumështi (krem pana)
  • 10 kokrra vezë
  • 10 lugë gjellë sheqer
  • 10 lugë miell
  • 350 qumësht i kondesuar (qumësht panda)
  • 300 ml karamel (gjeni në supermarkete)

Përgatitja e pandispanjës

Në një enë hedhim vetëm të bardhat e vezëve dhe të verdhat i lëmë në një enë tjetër mënjanë.

Hedhim sheqerin në enën ku kemi të bardhat e vezëve dhe i rrahim derisa masa të bëhet e njëtrajtshme dhe e trashë.

Më pas, rrahim të verdhat e vezëve dhe i shtojmë tek masa e përgatitur me të bardhat e vezëve dhe sheqerin.

I përzjejmë derisa të njëtrajtësohen.

Më pas, shtojmë gradualisht miellin dhe njëkohësisht e trazojmë masën pa ndërprerje me qëllim që volumi i masës të jetë i njëjtë.

Ngrohim furrën në temperaturën 250 gradë.

Përmes një furçe kuzhine lyejmë me pak vaj tavën dhe hedhim në të masën e përgatitur dhe e lëmë të piqet në këtë temperaturë për 5 minuta, më pas gradën e nxehjes e ulim në nivelin 150.

E lëmë të piqet edhe për 10 minuta të tjera.

Përgatitja e Qumështit

Hedhim qumështin e kondesuar në një enë bashkë me qumështin e lëngshëm.

I përzjejmë derisa qumështi i kondesuar të tretet plotësisht.

Më pas shtojmë kremin e qumështit (pana). I përzjejmë mirë që të jenë një masë.

Heqim kekun ose pandispanjën nga furra. Pasi të jetë ftohur i presim në formë katrorë dhe hedhim përsipër masën e qumështit.

E lëmë derisa pandispanja të përthithë qumështin plotësisht.

Në fund, u hedhim sipër karamelin e lëngshëm./AgroWeb.org