Një Mënyrë e Re Jetese: COVID-19 Nuk Do Të Largohet, Njerëzit Duhet të Përshtaten

375 0

Bota nuk po përjeton një valë të dytë, ajo thjesht nuk e ka kaluar valën e parë.

Është e habitshme sesa shpejt është përhapur pandemia, pavarësisht të gjitha përpjekjeve për ta mbajtur nën kontroll, shkruan The Economist.

Më 1 shkurt, ditën kur COVID-19 u shfaq për herë të parë në kopertinën e The Economist, Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte regjistruar 2.115 raste të reja. Më 28 qershor, raportet ditore arritën në 190,000 raste të reja. Atë ditë, çdo 90 minuta regjistrohej një numër rastesh i barabartë me numrin total të shënuar deri më 1 shkurt.

Bota nuk po përjeton një valë të dytë, ajo asnjëherë nuk e kaloi valën e parë. Rreth 10 milionë njerëz janë raportuar të infektuar. Pothuajse çdo vend ka regjistruar raste (përveç Turkmenistanit dhe Koresë së Veriut, apo Antarktidës).

Pavarësisht se ka vende si Kina, Tajvani dhe Vietnami, që duket se janë në gjendje ta përmbajnë virusin, ka shumë më tepër zona ku sëmundja është përhapur në mënyrë të shfrenuar, si në Amerikën Latine dhe Azinë e Jugut.

Vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, rrezikojnë të humbasin kontrollin, ndërsa pjesa më e madhe e Afrikës është në fazën e hershme të epidemisë. Europa është diku në mes.

Prisni akoma më të keqen

Por më e keqja nuk ka ardhur ende. Bazuar në hulumtimet në 84 shtete, një ekip në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, ka llogaritur se për çdo rast të regjistruar, 12 mbeten të paregjistruar dhe për çdo dy vdekje të regjistruara nga COVID-19, një e tretë keqinterpretohet duke u lidhur me shkaqe të tjera.

Pa arritur një kurë mjekësore, numri i përgjithshëm i rasteve do të arrijë 200 – 600 mijë deri në pranverën e vitit 2021.

Në atë pikë, 1.4 deri në 3.7 milionë njerëz do të kenë vdekur. Edhe atëherë, rreth 90% e popullsisë së botës do të jetë ende e cenueshme ndaj infeksionit – më shumë nëse imuniteti rezulton të jetë i përkohshëm.

Rezultati varet nga mënyra se si shoqëritë e menaxhojnë sëmundjen. Këtu lajmet janë më të mira.

Epidemiologët e kuptojnë se si mund të ndalet COVID-19. Ju mund të infektoheni duke qëndruar në mjedise të mbyllura, në turma, kur njerëzit ngrenë zërin.

Të varfrit janë më të rrezikuar, siç janë edhe të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje ekzistuese. Virusi mund të përmbahet me tre taktika: ndryshime në sjellje; testim, gjurmim dhe izolim; dhe, nëse ato dështojnë, me karantinë.

Sa më i dobët të jetë niveli i testimit në një vend – dhe shumë qeveri nuk kanë arritur të ndërtojnë kapacitete të mjaftueshme – aq më shumë duhet të mbështetet vendi në dy taktikat e tjera. Shëndeti i mirë publik nuk ka nevojë të jetë i shtrenjtë.

Dharavi, një zonë e varfër prej 850,000 njerëzish në Mumbai, e përmbajti përhapjen e sëmundjes.

Trajtimet janë përmirësuar, falë kërkimeve dhe studimit të pacientëve.

Megjithëse vaksinimi masiv nuk do të arrihet të paktën për disa muaj, terapitë e para janë në dispozicion.

Tashmë janë rritur njohuritë mbi mënyrën e menaxhimit të sëmundjes – nuk duhet nxituar për t’u vënë njerëzve ventilatorë, por u duhet dhënë oksigjen herët.

Falë përmirësimit të trajtimit, në Britani, numri i pacientëve që hynë në kujdes intensiv, ra nga 12% në fund të marsit, në 4% nga mesi dhe fundi i majit.

Ekonomitë po përshtaten

Ekonomitë gjithashtu janë përshtatur. Sigurisht, ato ende po vuajnë. Banka J.P.

Morgan parashikoi që rënia e pikut deri në gjysmën e parë të vitit në 39 ekonomitë që studion, do të jetë rreth 10% e PBB-së. Por punonjësit e ngecur në ferrin e platformës Zoom kanë zbuluar se mund të bëjnë një pjesë të mirë të punës nga shtëpia.

Në Kinë, Starbucks projektoi porosinë “pa kontakt”, duke shkurtuar kohën që klientët kalojnë në kafene.

Zinxhirët e furnizimit që kishin vështirësi, tani funksionojnë pa probleme.

Fabrikat kanë gjetur mënyra për të përshtatur turnet, për të mbrojtur stafin me veshje plastike dhe për të ndryshuar modelet e punës në mënyrë që të minimizohet kontakti personal.

Tani që kanë përfunduar karantinat masive, qeveritë mund të përzgjedhin – për shembull, duke ndaluar grumbullime të mëdha në vende të mbyllura, dhe duke lejuar rihapjen e shkollave dhe dyqaneve.

Ndonjëherë, siç ka ndodhur në disa shtete amerikane, këto rregulla lehtësohen shumë dhe duhet ndryshuar drejtim. Të tjerët do të mësojnë nga gabimet e tyre.

Problemi është se, pa pasur një kurë ose vaksinë, kontrolli varet nga fakti nëse njerëzit mund të mësojnë të ndryshojnë sjelljen e tyre.

Pas panikut fillestar të COVID-19, shumë persona kanë shprehur pakënaqësi dhe kanë bërë qëndresë.

Maska ndihmon në parandalimin e sëmundjes, por në Europë dhe Amerikë disa veta refuzojnë ta mbajnë, sepse e shohin si jo burrërore ose edhe më keq, demokratike.

Larja e shpeshtë e duarve e vret tërësisht virusin, por kush nuk i është rikthyer zakoneve të vjetra të këqija?

Festat janë të rrezikshme, por të rinjtë e izoluar për muaj të tërë kanë marrë një qëndrim me të cilin po tregojnë se nuk i bëhet vonë.

Më e rëndësishmja, teksa muajt kalojnë, njerëzit thjesht kanë nevojë të fitojnë para. Në vjeshtë, teksa jeta zhvendoset më tepër në mjediset e brendshme, infeksionet mund të rriten.

Ndryshimi i normave shoqërore është i vështirë. Këtë e tregon sëmundja e SIDA-s, që për dekada me radhë, dihej se mund të parandalohej nga seksi i sigurt dhe shiringat e pastra.

Megjithatë, në vitin 2018, 1.7 milionë njerëz u infektuan me HIV, virusin që e shkakton atë. COVID-19 është më i lehtë për t’u diskutuar sesa SIDA, por më i vështirë për t’u shmangur.

Mbajtja e maskës ka të bëjë kryesisht me mbrojtjen e të tjerëve; të rinjve të shëndetshëm dhe asimptomatikë, u kërkohet të ndjekin rregulla të lodhshme për të mbrojtur të moshuarit dhe të dobëtit.

Ndryshimi i sjelljes

Ndryshimi i sjelljes kërkon komunikim të qartë nga personalitete të besuara, kombëtare dhe lokale. Por shumë njerëz nuk u besojnë politikanëve të tyre.

Në vende si Amerika, Irani, Britania, Rusia dhe Brazili, të cilat kanë rastet më të larta të virusit, presidentët dhe kryeministrat e kanë minimizuar kërcënimin, kanë ngurruar, kanë dhënë këshilla të këqija ose kanë krijuar përshtypjen se janë më të interesuar për fatin e tyre politik sesa për vendin – dhe ndonjëherë të gjitha së bashku.

COVID-19 nuk do të largohet, të paktën për njëfarë kohe. Njerëzit e rrezikuar do të kenë frikë të dalin jashtë dhe inovacioni do të ngadalësohet, duke krijuar një ekonomi 90%, e cila nuk arrin dot potencialin e saj të plotë.

Shumë njerëz do të sëmuren dhe disa prej tyre do të vdesin. Ju mund ta keni humbur interesin për pandeminë. Por ajo nuk e ka humbur interesin për ju./Burimi;Monitor