COVID-19- Çfarë Duhet Të Dinë Diabetikët Dhe Ata Që Vuajnë Nga Zemra

373 0

Prania e sëmundjeve kronike mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve të shkaktuara prej COVID-19, madje edhe vdekjen e parakohshme prej tij.

Këtë e konfirmojnë ekspertët, sipas të cilëve, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe sëmundjet kronike të mushkërive, janë faktorë të rëndësishëm në nivelin e lartë të jetëve të humbura prej virusit.

Sipas studimeve, në mesin e njerëzve të prekur nga COVID-19, numri i pacientëve me sëmundjet e lartpërmendura të shtruar në spital ishte 6 herë më i lartë dhe ai i atyre që humbën jetën ishte 12 herë më i lartë.

Studime të tjera konfirmojnë se 40 përqind e vdekjeve të shkaktuara prej COVID-19, kishin lidhje me komplikacionet në sistemin kardiovaskular.

Diabeti kishte lidhje direkte me një rritje të trefishtë të humbjeve të jetëve.

Përse Prania e Këtyre Sëmundjeve Rrit Rrezikun e Komplikacioneve Prej COVID-19?

Ekspertët thonë se një njeri i shëndetshëm do ta përballonte më mirë infeksionin me COVID-19 se një i sëmurë nga zemra apo me diabet dhe kjo, hamendësojnë ekspertët, mund të ketë të bëjë me dy arsye.

E para, këto sëmundje ndikojnë tek imuniteti dhe ky i fundit ka rezerva të mangëta për të përballuar infeksionin.

Për shembull, diabeti është një problem që ndikon tek shumë organe dhe sisteme në trup, përfshirë këtu sistemin imunitar.

Sheqeri në gjak, ndikon negativisht tek imuniteti, shton inflamacionin dhe e bën shumë të vështirë për trupin të luftojë viruset.

E dyta, nëse organizmi do të ishte i shëndetshëm, imuniteti do të ishte në luftë në një front të vetëm, por kështu është në disa fronte dhe nuk e përballon dot.

Shumë prej komplikacioneve të shoqëruara me COVID-19, kanë lidhje me enët e gjakut, dhe vecanërisht tensionin e lartë të gjakut.

Ky i fundit nxit forcimin e arterieve dhe enëve të gjakut.

Nëse këto të fundit do të ishin në gjendje të mirë, zemra do të ushqehej normalisht me oksigjen dhe ushqyes.

Por, nëse një pacient vuan nga tensioni i lartë i gjakut, zemrës së tij i duhet të punojë shumë më fort për të dërguar gjak në indet e uritura.

Me fjalë të tjera, një sistem i dobësuar kardiovaskular nuk mund të jetë shumë i fortë për të përballuar një virus të tillë./AgroWeb.org