Ferma e Vreshtave Ku Prodhohet Rakia Speciale e Përmetit

584 0

Kryeministri Rama ka publikuar sot pamje përrallore nga Gosnishti i Përmetit, ku drita e diellit shkrihet ëmbël me vreshtat e qëndisura bukur dhe ku Habib Jashari ka ngritur një copëz parajse tokësore në fshatin e tij të lindjes.

“Ky burrë i mençur, ka ndërtuar me forcën e pasionit, atje në largësinë dhe lartësinë e natyrës malore, fermën e vreshtave prej 12 hektarësh si dhe kantinën ku prodhon rakinë më speciale të Përmetit”, shprehet Rama.

Rama shton se, “me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Habibi po shton sipërfaqen e mbjellë me vreshta dhe gjithashtu do të përfitojë mekanikë të re bujqësore”.

Investimi 

“Kam ikur 6 vjeç nga Gosnishti, erdha 60 vjeç. U riktheva me investime dhe i hodha të gjitha të ardhurat këtu. Këtu jemi 986 metra mbi nivelin e detit. Vreshtat, lartësia maksimale është 1049 metra. Këtu ka një veçori, që dita është shumë e nxehtë dhe nata është shumë e ftohtë.

Një nga kërkesat e hardhisë kjo është, ndikon në cilësinë e produktit”, shprehet Habib Jashari gjatë bashkëbisedimit të tij me drejtoreshën e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca.

“Është inoksi më i mirë i teknologjisë së fermentimit të rrushit. Kur fillon fermentimi, nëse ngrihet temperatura mbi normalen që kërkon fermentimi i rrushit, ajo e lëshon ujin vetë që të ftohet. Kapaciteti është 100 tonë, një mijë kuintalë. Synimi im është që të arrij 20 hektarë, deri tani jam tek 12 hektarë”, shprehet Jashari.

Plani për Parkun e Bletëve

Pas repartit të fermentimit, ndodhet reparti i destilatit të rrushit që mundëson cilësinë e rakisë që më pas ai e tregton. Habibi thotë se në 2024 do të nisë të prodhojë verëra. “Kam një synim që të bëj parkun tim të bletëve, pasi bletët zhvillojnë vreshtarinë”, tha Jashari.

Nga ana e saj, drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca u shpreh se “jemi në një investim që po kryhet aktualisht të programit IPARD, në masën nr. 1, Investime në Fermë.

Është një investim me vlerë totale 28 mln lekë të reja për një grant deri në 70% të masës së financimit. Aktualisht jemi në fazën e investimit, janë rreth 5 hektarë mbjellje vreshti. Aplikanti gjithashtu është kontraktuar për mekanikë bujqësore, që do të rrisë sipërfaqen e kësaj ferme”.