Produktet Shqiptare të Mishit Drejt Arabisë Saudite

554 0

Në vjeshtën e vitit të shkuar qeveria shqiptare hodhi hapat e parë për nisjen e bashkëpunimit tregtar me Arabinë Saudite në fushën e eksportit të prodhimeve bujqësore e blegtorale.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi bëri të ditur se thertorja e Melo Priftit në Gjirokastër do të jetë ndër subjektet e para që do të nisë tregtimin e të imtave në Arabinë Saudite.

Ministri informoi se për shkak të pandemisë u vonua certifikimi “Hallall” i thertores nga autoritetet saudite.

“Pritet që ky proces të kryhet së shpejti dhe menjëherë do të fillojë shitja e qengjave dhe kecave drejt Arabisë Saudite”, deklaroi ministri.

Sipas Çuçit, kjo thertore moderne është ngritur falë mbështetjes me rreth 22.5 milionë lekë nga qeveria shqiptare përmes Skemës Kombëtare.

Kapaciteti i saj është shumë i lartë. Përpunon 550 qengja në harkun kohor të 8 orëve.

Sot në të gjithë vendin, tha ministri, kemi 59 thertore me standarde të larta e kushte higjieno-sanitare shumë të mira, që kanë sjell formalizimin e këtij sektori dhe rritjen e sigurisë për produktet e mishit.

“Prej vitit 2014 kemi mbështetur me fonde të buxhetit të shtetit dhe fonde europiane ndërtimin e 14 thertoreve të reja me një vlerë rreth 269 milionë lekë”, theksoi ministri./ATSH