Rizoto Dimërore me Presh e Kërpudha – E Ngrohtë e Plot shije

757 0

Rizoto e famshme me oriz e kuzhinës Italiane, prej disa vitesh i ka lënë gjurmët e saj edhe në vendin tonë.

Megjithëse gatimi i orizit është edhe një specialitet Shqiptar, kjo pjatë është paksa më ndryshe në përgatitje e në rezultatin final.

Perfekte për tu shijuar në dimër për shkak të shijes kremoze e të ngrohtë që i dhuron të gjithë shqisave.

Në recetën e sotëme AgroWeb.org ju tregon se si ta përgatisni fare lehtë një prej tyre edhe në shtëpitë tuaja.

Ndiqni mënyrën e përgatitjes dhe kënaquni me rezultatin në këto ditë të ftohta.

Përbërësit

320 gr oriz i bardhë

450 gr kërpudha

150 gr proshutë ose mish i thatë

40 gr presh

1 litër lëng perimesh

50 gr djathë kaçkavall

30 gr gjalpë

Majdanoz

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e rizotos dimërore, si fillim pastroni dhe prisni në rrathë të hollë preshin.

Vazhdoni me pastrimin e kërpudhave dhe prerjen e tyre në feta të holla e më pas të njejtën gjë bëjeni edhe me mishin e thatë.

Ndërkohë vendosni në zjarr një tenxhere me lëngun e perimeve në mënyrë që të ngrohet paksa dhe në një tjetër tenxhere shtoni preshin dhe gatuajeni në zjarr të ulër për disa minuta.

Më pas shtoni edhe proshutën në tenxhere dhe lërini për disa minuta në zjarr të ulët.

Hidhni kërpudhat, përziejini mirë dhe lërini të gatihen për 7-8 minuta, shtoni orizin dhe lërëni për disa minuta të skuqet në texhere derisa të kthehet në transparent.

Vijoni duke hedhur në tenxhere pak nga pak lëngun e perimeve që ngrohët gjatë gjithë kësaj kohe në mënyrë që orizi të ziejë.

Përzieni herë pas here me një lugë druri dhe bëni kujdes me sasinë e kripës që do të shtoni, pasi proshuta dhe lëngu i perimeve përmbajnë kripë.

Në fund kur orizi të ketë shteruar të gjithë ujin, fikni zjarrin, shtoni gjalpin dhe përzieni përsëri.

Shtoni djathin e grirë kaçkavall majdanoz të grirë të freskët, përzieni dhe një herë të fundit dhe rizoto juaj është gati./AgroWeb.org