Raporti i OKB: Situata Me Menaxhimin e Varfërisë Në Vitin e Dytë Të Pandemisë

296 0

Kriza e Covid-19 ka sjellë varfëri në shumë qytetarë evropianë. Njerëzit në situata ekonomike të vështira kanë kaluar edhe në vështirësi më të mëdha. Ky është rasti i Raymond Jacquet. Më parë ai ishte librashitës dhe tani merr një pension të vogël. Në mënyrë që të plotësonte nevojat e tij, shkonte në tregjet e përkohshme për të shitur libra. Tani ai ka mbetur pa të ardhura shtesë.

“Varfëria është varfëri sociale, nuk është vetëm varfëri financiare, është varfëri sociale. Varfëria sociale është shumë serioze. Do të thotë që ti ke nevojë për kontakte por në këtë situatë je i veçuar, dhe si pasojë do të vdesësh në dhomën tënde. Jetoj vetëm, kam një apartament të vogël me qira prej 400 euro në muaj, dhe nuk kam ndonjë gjë tjetër … në fund do të vdesim të vetmuar”, shprehet Raymond Jacquet, pensionist.

Tashmë, Raymond nuk mund të blejë dot më libra të reja. Të gjitha shpenzimet janë të llogaritura. Ai nuk mund të dalë më me makinë sepse nuk mundet të përballojë naftën. Edhe tepricat janë të llogaritura deri në detaje.

“Po kërkoja të blija diçka për të ngrënë një ditë më parë, më kushtonte 6.5 euro, dhe kjo është diçka serioze. Për buxhetin tim është një gjë e madhe. Mund ta blesh ndonjëherë, por zgjodha të blej vezë, domate dhe patate. Por nuk mund të blej diçka tjetër”, thotë Jacquet.

Raymond u infektua me Covid në vjeshtë dhe qëndroi në shtëpi që të kujdesej për veten. Për të gjëja më e rëndësishme është që të jetë në gjendje që të ushqehet, të lahet dhe të vishet me dinjitet. Por ndonjëherë i mungojë fuqitë.

“Jam në mjerim, në mjerim dhe trishtim. Ndonjëherë thyhem dhe bie në kolltuk dhe pyes veten sesi të dal prej kësaj situatë”, tregon ai.

Që nga kriza ekonomike e vitit 2008 deri tani, BE ka dështuar në reduktimin e varfërisë. 1 në 5 persona është i rrezikuar nga varfëria. Dhe vala e dytë e krizës sociale po afrohet sipas një raporteri të Kombeve të Bashkuara.

“E marrim me mend që kriza është e dyfishtë. Kemi një numër të madh njerëzish që i kanë humbur të ardhurat për muaj të tërë dhe njëkohësisht kanë humbur punën dhe janë ata që janë në situatën më të vështirë. Dhe së shpejti do të kemi një valë të dytë e varfërisë e cila do të vijë në momentin që qeveritë nuk do të mbështesin më bizneset. Fatkeqësisht do të ketë një numër të madh kompanish të cilat do të falimentojnë. Fatkeqësisht, do të kemi një rritje të madhe të varfërisë në fund të vitit 2021”, thotë Olivier De Schutter, raporter i OKB për varfërinë ekstreme.

Raporteri i Kombeve të Bashkuara sugjeron që Bashkimi Evropian nuk mundet më që të vazhdojë t’i konsiderojë shpenzimet sociale si një kosto që rrit borxhet por si një investim më afatgjatë./Burimi:Euro News