Zona fushore e Nënshkodrës vazhdon të përballet prej gati një muaji me përmbytje, që janë shtrirë në njësitë vendore të Dajçit, Anës së Malit, Velipojës, Bërdicës, por edhe rrethinave të qytetit. Mëngjesin e sotëm sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë arriti në 3655 hektarë, pjesa më e madhe të mbjella me grurë, foragjere, bimë dekorative, por edhe sera dhe pemëtore. Sipas drejtuesve të Bashkisë së Shkodrës, deri tani dëmi ekonomik ka arritur në 3.5 miliad lekë, por ai vazhdon të rritet nga dita në ditë.

Që nga përmbytjet masive të vitit 2010, zona fushore e Nënshkodrës është përmbytur disa herë, duke dëmtuar rëndë ekonominë e mijëra fermerëve që jetojnë në këtë zonë. Përvoja shumëvjeçare nga përmbytjet ka bërë që Paulin Maçaj, si pjesa më e madhe e banorëve, të besojë se përmbytjet në Nënshkodër shkaktohen nga shkarkimet e hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit.

Kur hidrocentrali shkarkon jashtë kapacitetit, në këtë zonë del uji dhe mbulon fushën e Shirgjit dhe diçka ma gjanë, nga Trushi e këndej. Kjo asht ba që në vitin 1972, me një marrëveshje me ish Jugosllavinë, që nuk lejon ngritjen e nivelit të argjinaturave dhe, si rezultat, bahet shkarkimi në fushat e Shkodrës”.

Martin Pemaj, një banor i vjetër i fshatit Obot, fshat ky që përmbytet i pari në gjithë zonën fushore të Nënshkodrës, thotë se përmbytjet janë pasojë e paaftësisë për të menaxhuar prurjet ujore që sjellin lumejtë, liqeni, por edhe Hidrocentrali i Vaut të Dejës.

Ky vend ka ekonomi të fortë. Bota e jashtme i ka 5 metër nën nivelin e detit dhe nuk i kanë qytetet në ujë. Ne jena 8 metër mbi nivelin e detit edhe kena ujë. Këtu mungon mendja”, thotë ai.

Të shqetësuar për situatën e përmbytjeve në Nënshkodër dhe dëmet ekonomike që po u shkaktohen fermerëve, kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe fajëson për përmbytjet shkarkimet e hidrocentralit të Vaut të Dejës, që është edhe hidrocentrali fundor i Kaskadës së Drinit.

Fakti që kemi shkarkime në të gjithë Kaskadën e Drinit si dhe derdhje në Bunë, patjetër që ka shkaktuar këtë situatë që kemi. Faktet tregojnë atë që shikojmë përditë”, thotë ajo.

Por administratori i Koorporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë, Benet Beci, kundërshton duke theksuar se, Kaskada e Lumit Drin, ku gjenden edhe tre hidrocentralet më të mëdhej të vendit: Fierza, Komani dhe Vau i Dejës, në çdo rast është rregullator i ujërave që sjellin lumenjtë veriorë të vendit.

Sigurisht që, një menaxhim më i mirë i kaskadës jep më pak impakt, një menaxhim më i keq jep më shumë. Por, në të gjitha rastet, kaskada është një ndihmë, ose një lehtësuese e përmbytjeve në zonën e Shkodrës. Me përjashtim të rasteve kur mund të shkarkosh më shumë se prurjet, që është e ndaluar me ligj”, thotë ai.

Koorpotata Elektroenergjitike njoftoi sot se, prurjet e ujit në Kaskadën e Drinit kanë rënë në 780 metër kub në sekondë dhe se shkarkimet e hidrocentralit të Vaut të Dejës, kanë ardhur duke u rritur nga 700 në 900 metër kub ujë në sekondë.

Pas përmbytjeve masive të vitit 2010, ekspertët më të mirë të fushës së hidroenergjitikës, në bashkëpunim me ekspertë të huaj, studiuan gjithë pellgun ujor të Shkodrës si dhe sistemin mbrojtës të argjinaturave, ku u investuan më shumë se 10 milionë dollarë. Megjithatë, fshatrat e Nënshkodrës vazhdojnë të përmbyten thuajse çdo vit./Burimi:VOA