Imuniteti i tufës pa vaksinë zbeh shpresat për rimëkëmbje ekonomike në vend

335 0

Shqipëria, aktualisht, duhet të vaksinojë 500 mijë persona që të krijojë imunitetin e tufës, me qëllim që të rrisë, ndër të tjera, përfitimet të cilat i vijnë ekonomisë nga sezoni turistik, por oferta e kufizuar e vaksinës zbeh shpresat tek imunizimi i shpejtë. Ekspertët e shëndetit publik lajmërojnë periudhë të vështirë deri në fillim të verës, qetësim të situatës në verë dhe rikthim të pandemisë në dimër. Vaksina do t’i shërbejë imunizimit në vjeshtë

 

Paqartësitë se si do të imunizohet popullsia e vendit ndaj COVID-19 nëpërmjet vaksinës i kanë rritur pasiguritë, jo vetëm në drejtim të stabilizimit të situatës shëndetësore, por ka zbehur edhe pritshmëritë nëse ekonomia e vendit do të mund të rikthehet në normalitetit edhe këtë verë.

Ekspertët e Shëndetit Publik pohojnë se gjasat janë që imuniteti i tufës të krijohet pa vaksinë, pasi shumica e furnizimeve direkte nga kontrata e Qeverisë me Pfizer janë për vjeshtë – dimër 2021, ndërsa mekanizimi COVAX, instrument i OBSH-së për sigurimin e vaksinës në vendet e varfra, nuk do t’ia sjellë shpejt sasitë që i duhen Shqipërisë. Prodhimi i vaksinave nga Pfizer dhe Moderna nuk po ecën me ritmet e parashikuara, duke krijuar vonesa për furnizimet e kontratave më të hershme me vendet e zhvilluara të Europës.

Teksa pandemia është në pikën më kritike të saj, skenarët pa vaksinën parashikojnë një situatë të vështirë deri në fillim të verës, qetësim gjatë verës si pasojë e temperaturave të larta dhe rikthimi në vjeshtë dhe dimrin 2021-2022.

Doktor Gazmend Koduzi, ekspert i çështjeve të shëndetit publik, tha se zhvillimet pandemike në Shqipëri nuk do të frenohen nga vaksina të paktën deri në vjeshtë. Prodhuesit do të furnizojnë vendet që kanë lidhur kontrata paraprake me Pfizer më herët se Shqipëria. Deri atëherë, popullsia e vendit tonë do të ketë krijuar imunitetin e tufës, por kjo do të krijojë kosto në jetën sociale dhe ekonomike, thotë Koduzi.

Vonesat e furnizimeve me vaksinën dhe mungesa e masave shtrënguese do të penalizojnë shëndetin e popullatës, ndërsa mungesa e lirisë në lëvizje të paktën në 6-mujorin e parë do të dëmtojë ekonominë e vendit, e cila ka varësi të lartë nga sektori i shërbimeve dhe sidomos udhëtimeve. Vendet kryesore të Europës kanë rikthyer masat kufizuese dhe se politikat e hapjes në lëvizje po synojnë “pasaportën e imunitetit”. Shqipëria rrezikon të jetë një “dele e zezë” duke i zbehur shanset për një sezon veror normal. Qeveria nuk ka mundësi të ofrojë paketa direkte ndihme, pasi ka konsumuar rritjen e borxhit publik dhe rritjen e taksave.

Alban Ylli, ekspert i çështjeve të Shëndetit Publik tha se, aktualisht duhet të vaksinohen 500 mijë persona në Shqipëri, në mënyrë që të krijohet imuniteti i tufës. Ai thotë se rreziku i pandemisë do të jetë i lartë deri në dimrin e ardhshëm, me zbehje gjatë verës.

Vaksina për imunizim masiv, jo para vjeshtës

Shqipëria ka nënshkruar me Pfizer dhe nismën COVAX 1400 doza vaksine, të cilat janë të vlefshme për të imunizuar 800 mijë persona, deklaroi ministrja e Shëndetësie, Ogerta Manastirliu. 500 mijë doza i takojnë marrëveshjes së drejtpërdrejtë me kompaninë prodhuese të vaksinës, Pfizer.

Sipas marrëveshjes konfidenciale ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Pfizer, të publikuar nga Gogo.al, pritej që në muajin janar 2021, të vinin furnizimet me 10 mijë e 530 dozave, në shkurt 30 mijë e 420 doza dhe në vjeshtë-dimër, edhe 458 mijë e 640 dozat e tjera. Nga të dhënat, mbi 90% e dozave do të vijnë në vjeshtë. Në të njëjtën linjë do të jenë edhe furnizimet nga nisma COVAX, pasi vetëm dy ditë më parë u firmos marrëveshja me Pfizer. Doktor Koduzi thotë se, furnizimet po kryhen me parimin, ai që ka nënshkruar dhe paguar i pari, furnizohet i pari.

Ministrja Manastirliu tha se, Pfizer-it i janë paguar paraprakisht rreth 2.9 milionë dollarë, si dhe është parapaguar instrumenti i COVAX-it për të garantuar sigurimin e vaksinave në një kohë të shpejtë.  Më datën 22 janar, Pfizer raportoi se kishte nënshkruar me nismën COVAX marrëveshjen e furnizimit për 40 milionë doza që do të shpërndahen në 92 vende në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria më 2021.

“Dozat e para pritet të dorëzohen në tremujorin e parë të vitit 2021, në varësi të negociatave dhe ekzekutimit të marrëveshjeve së furnizimit nën strukturën e facilitetit COVAX me një çmim jo fitimprurës” – njoftoi zyrtarisht, Pfizer

Aktualisht janë duke u zhvilluar 50 vaksina për të luftuar COVID-19, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por vetëm 12 kanë kaluar fazën e tretë dhe përfundimtare të testimit në njerëz, por jo të gjitha janë miratuar nga autoritetet e BE-së dhe SHBA-së për përdorim./Burimi:Monitor