Mjekja Dervishi: Arsyeja Kryesore e Rritjes së Infektimeve

184 0

Marjet Dervishi, epidemiologe pranë Institutit të Shëndetit Publik, tha në një intervistë për Euronews Albania se mosrespektimi i masave anti-COVID është faktori kryesor që ndikon në rritjen e numrit të të infektuarve.

Ajo përjashtoi ndikimin e mutacioneve të reja në shtimin e numrit të rasteve COVID pozitiv duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e respektimit të protokollit të sigurisë.

Ndërkohë që sipas mjekes nëse ritmet vazhdojnë po njësoj, Komiteti i Ekspertëve do të duhet të shtrëngojë masat, pavarësisht shkurtimit të orarit të lëvizjes.

“Vaksinimi do të luajë një rol në frenimin e epidemisë atëherë kur ne të kemi një nivel të lartë të vaksinimit në vendin tonë or jo vetëm,” – tha Dervishi teksa theksoi se vaksinimi duhet bërë në rang global në mënyrë që COVID-19 të mos jetë më prezent në jetët tona.

Epidemiologia tha se ardhja e pranverës do të ndikojë vetëm te ulja e grumbullimeve ndërsa sa i takon numrit të rasteve asgjë nuk është e sigurt, lidhur kjo dhe me të panjohurat që përfaqëson vetë virusi.

Ndërsa sa i takon përdorimit të vaksinave, epidemiologia tregoi se gjithçka do të bëhet njësoj siç udhëzojnë kompanitë prodhuese dhe sa më shumë lloje vaksinash të ketë në dispozicion aq më mirë është për popullsinë./Burimi:EuroNews