Tregtia e jashtme duket se ka kaluar gropën e thellë për shkak të goditjes së pandemisë dhe po ndjek një trend pozitiv këtë fillim viti.
Diversifikimi shton ai, është alternativa më e mirë për të rikuperuar eksportet, një nga burimet kyçe të rritjes ekonomike.
“Patjetër ka problemet e veta, por është oportunitet pasi tani fillohet dhe bëhet tregti në zona më të ngushta pra në rajon e në kontinent dhe jo sa në një vend në një tjetër. Ajo që është e rëndësishme është diversifikimi i sektorëve që kontribuojnë në eksporte, fasoneria, materialet e ndërtimit, produktet e tjera dhe ky është oportuniteti. Duhet të diversifikojmë tregjet, duhet të diversifikojmë produktet që eksportojmë”, tha Gent Beqiri, ekspert për ekonominë
Por, cilat janë tregjet që duhet të synojnë eksportuesit shqiptarë në këto momente? Për Beqirin, fokusi duhet të zhvendoset te vendet e Europës Qendrore që kanë relativisht një bilanc pozitiv tregtar pavarësisht pandemisë.
“Këtë moment duhet ta kapim sepse është shumë e vështirë por jo e pamundur. Sepse tashmë marrëdhëniet nuk i bën dot drejtpërdrejt , nuk mund të lëvizësh, nuk ka panaire që të krijohen kontakte. Gjermania duhet ta kemi ne pikësynim sepse është i vetmi vend që ka një bilanc tregtar pozitiv, pra që përpunon dhe eksporton. Gjermania, Franca dhe vendet e tjera të Europës Qendrore duhet të jenë target në këtë moment”, u shpreh Gent Beqiri.
Sipas Instat eksportet shqiptare arritën në 24 miliardë lekë muajin e kaluar, rreth 1 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e 2020-ës. Italia vijon të kryesojë listën si partneri kryesor tregtar që pa edhe rritjen më të madhe në janar, teksa janë fuqizuar më tej marrëdhëniet tregtare Shqipëri – Kinë pasi eksportet mes dy vendeve u rritën ndjeshëm./Burimi:Top Channel