Eurostat: Meshkujt e kanë dy herë më të lartë rrezikun e infektimit të rëndë nga COVID-19

408 0

Pandemia e COVID-19, e cila ka rritur ndjeshëm vdekshmërinë në vend, duke filluar që nga muaji qershor, po rezulton më fatale te meshkujt, një tendencë e konstatuar në të gjithë globin.

Eurostat ka publikuar të dhënat e vdekjeve për Shqipërinë, me bazë javore, që janë të disponueshme për 9-mujorin (nga data 30 dhjetor 2019 deri në javën e fundit të shtatorit 2020, data 27, gjithsej 39 javë), të ndara sipas gjinisë.

Sipas shifrave të Eurostat, të përpunuara nga “Monitor”, për këtë periudhë të 2020-s, vdekjet në vend u rritën me 7%, duke arritur në 17.7 mijë.

Në total, janë 1,171 jetë të humbura më shumë, për janar- shtator në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, që në pjesën më të madhe ka ardhur si rrjedhojë e pasojave të pandemisë. Nga kjo shtesë e vdekjeve, rreth 760 persona janë meshkuj, ose rreth 65% e totalit të teprisë së fataliteteve.

Në vite normale, sipas të dhënave të Eurostat për 2019-n, në vend, meshkujt përbënin rreth 50-54% të totalit të vdekjeve, ndërsa në tremujorin e tretë të 2020-s, ka javë kur kjo peshë është rritur deri në 62% të totalit, për shkak të shtesës më të lartë të fataliteteve të burrave në raport me të grave.

Edhe të dhënat globale tregojnë se ka një vdekshmëri më të madhe nga COVID-19 tek meshkujt, me raportin e fatalitetit që luhatet midis 1·0, deri në 3·5 në disa raste. Revista shkencore “The Lancet” shkruante se të dhënat globale kanë treguar se të dy faktorët biologjikë (përgjigjet më të forta imune) dhe faktorët e rrezikut të sjelljes (p.sh. pirja e duhanit dhe zakone të tjera të jetesës) i vënë burrat në një risk më të madh për komplikime shëndetësore dhe vdekje, si pasojë e COVID-19.

Sipas “The Lancet”, burrat e kanë dy herë më të lartë rrezikun e vdekjes nga COVID-19, duke u ndikuar nga sërë hipotezash, nga stilet e jetesës dhe faktit që gratë zakonisht kanë sistem më të fortë imunitar, falë hormoneve femërore, si dhe strukturës së kromozomeve.

Studimet kanë treguar se jo vetëm që sistemi imunitar tek burrat është më i dobët, por në disa raste të rënda të koronavirusit, ai mund të çakordohet. Një studim i gati 1000 pacientëve me COVID-19 në gjendje kërcënuese për jetën, botuar në “Science” në shtator, gjeti prova të vetësabotimit molekular. Sistemi imunitar po vepronte kundër mbrojtjes së trupit, ashtu si rojet rebele të kalasë që copëtonin portat e tyre. Kjo problematikë ishte shumë më e përhapur tek burrat sesa tek gratë.

Pasojat e pandemisë filluan të ndihen nga java e fundit e qershorit

Në vite normale, vdekshmëria është më e lartë në vend në tremujorin e parë të vitit, ku për shkak të motit të ftohtë bie sistemi imunitar dhe fatalitetet janë më të larta tek të moshuarit.

Në 2020-n, për shkak të pandemisë tendenca ka ndryshuar. Sipas të dhënave të Eurostat, që i publikon fatalitetet me bazë javore, deri në fund të majit, vdekjet fatalitete në vend shënuan rënie të lehtë me bazë vjetore, teksa karantina e mars-majit frenoi valën e parë të pandemisë në vend.

Rritja e lartë e vdekshmërisë filloi në javën e 26, që përkon me fundin e qershorit (22-28 qershor), pas javë pas lehtësimit të kufizimeve. Në atë javë u shënuan 530 humbje jete, me rritje prej 24% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Pas një përmirësimi të lehtë, fatalitetet kulmuan në javët 31-35 (27 korrik deri në 30 gusht), me një rritje prej 45-50% të vdekjeve totale në dy javët e fundit të gushtit. Në javën e fundit të korrikut u shënua dhe rekordi javor i 578 vdekjeve (+57%).

Situata u lehtësua më pas deri në fund të shtatorit, për të filluar me valën tjetër, që kulmoi në nëntor e dhjetor./Burimi:Monitor