Eurostat raportoi se Shqipëria ka gjeneruar 381 kilogramë mbetje për banorë në vitin 2019, duke u renditur e pesta nga fundi për sasinë e ulët të mbetjeve ne Europë.

Estonia, Serbia, Polonia dhe Rumania u renditën pas Shqipërisë për prodhimin e mbetjeve për banorë. Ndërsa në nivel europian Danimarka, Luksemburgu dhe Norvegjia gjeneruan sasitë më të larta të mbetjeve, përkatësisht me 844 kilogramë, 791 dhe 776 kilogramë për frymë.

Në skajin tjetër, Rumania gjeneroi 280 kg mbetje për person në 2019. Tre Shtete Anëtare të BE gjithashtu gjeneruan më pak se 400 kg për person: Polonia (336 kg), Estonia (369 kg) dhe Hungaria (387 kg).

Sasia e mbetjeve të ricikluara arriti rekord të ri në 2019. Gjatë viteve të shkuara, sasia e mbetjeve të ricikluara  pothuajse u trefishua nga 37 milionë tonë (87 kg për person) në 1995 në 107 milionë tonë (239 kg për person) në 2019.

Që nga 1995, sasia e mbetjeve ë djegura në BE është dyfishuar nga 30 milionë tonë (70 kg për person) në 60 milionë ton (134 kg për person) në 2019.

Sipas të dhënave kombëtare nga INSTAT në vitin 2019 rezulton të jenë menaxhuar rreth 1,08 milionë tonë mbetje urbane, duke shënuar rënie me rreth 18 %, krahasuar me vitin 2018.

Sasia vjetore e mbetjeve urbane të menaxhuara për banorë, në shkallë vendi, në vitin 2019 është 381 kg/banor, nga 462 kg/banor që ishte në vitin paraardhës.

Në vitin 2019, sasia e mbetjeve jo urbane të menaxhuara bashkë me ato urbane është 13,0% ndaj sasisë gjithsej, nga 17,2 % që ka qenë në 2018, duke shënuar një ulje me 4,2 %.

Në përbërjen e mbetjeve urbane komponent kryesor janë mbetjet organike. Në vitin 2019 mbetjet organike përbëjnë rreth 58,4 % të sasisë gjithsej të mbetjeve, kundrejt 61,2 % që ky tregues ishte në vitin 2018.

Në vitin 2019 u depozituan rreth 78 % e sasisë totale të mbetjeve në landfille dhe fusha mbetjesh, ndërkohë që në vitin 2018 u depozituan 76,4%, duke shënuar një rritje rreth 1,6% të sasisë gjithsej të depozitimeve në landfille dhe fusha mbetjesh të miratuara si depozita të përkohshme nga bashkitë përkatëse.

Në vitin 2019 u ricikluan 18,7 % e sasisë gjithsej të mbetjeve, ndërkohë që në vitin e kaluar ky tregues ishte 18,5 %. Në vitin 2019 janë trajtuar me djegie në incenerator për eliminim dhe qëllime energjetike rreth 0,9% e sasisë totale të mbetjeve, duke shënuar kështu rënie të këtij treguesi me 1,9 %, krahasuar me të njëjtin tregues në vitin 2018./Burimi:Monitor