Raporti i ri i OKB për mjedisin sugjeron ndryshime edhe në mënyrën e të ushqyerit

323 0

Nëpërmjet ndryshimit të klimës, humbjes së biodiversitetit dhe ndotjes, njerëzit po e shndërrojnë gjithmonë e më shumë Tokën në një planet të pabanueshëm. Për këtë arsye, bota duhet që të bëjë ndryshime drastike në shoqëri, në ekonomi dhe në jetën e përditshme, thotë raporti më i fundit i OKB-së për mjedisin.

Në ndryshim nga raportet e mëparshme, të cilat ishin të fokusuara vetëm në një çështje dhe shmangnin këshillat për liderët, raporti më i fundit i sugjeron botës së çfarë duhet të ndryshojë në mënyrën e taksimit, në prodhimin ekonomik, në prodhimin e energjisë dhe mënyrën sesi njerëzit duhet të vlerësojnë mënyrën sesi ushqehen.

“2021 është një vit në të cilin duhet bërë patjetër diçka ose gjithçka mund të shkatërrohet. Nuk jemi vonë, por duhet të sigurohemi që jemi të aftë për të krijuar kushtet për një reduktim drastik të lëshimit të gazrave të dëmshëm në atmosferë për dekadën e ardhshme. Ky është një vit që duhet të kemi gati një kornizë për të ruajtur biodiversitetin, dhe është një vit ku duhet të marrim një sërë masash të rëndësishme për të reduktuar ndotjen”, u shpreh Antonio Guterres, sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Raporti prej 168 faqesh nënvizon faktin që fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë do të trashëgojnë një botë me kushte ekstreme të motit, ku nivelet e deteve do të rriten, do ketë një humbje drastike të bimëve dhe të kafshëve, do ketë pasiguri për ushqimin dhe ujin e pijshëm dhe do të rriten gjasat për pandemi të ardhshme./Burimi:Euro News