Nis sot vaksinimi i farmacistëve në Tiranë, duhet të plotësojnë një formular

310 0

Ditën e sotme do të nisë vaksinimi i farmacisteve në Rajonin e Tiranës.

Lajmi u bë i ditur nga Urdhri i Farmacistëve nëpërmjet një postimi në Facebook.

Çdo farmacist që është i interesuar të vaksinohet, duhet të regjistrohet duke plotësuar një formular me të dhënat përkatëse, ku më pas lista do t’i dërgohet qendrave të vaksinimit.

“Të nderuar kolegë, ju njoftojmë se ditën e nesërme nis procesi i vaksinimit për farmacistët e Rajonit të Tiranës. Të gjithë farmacistët që janë të interesuar të vaksinohen, të plotësojnë formularin e mëposhtëm me të dhënat përkatëse, në mënyrë që të hartohen listat që do i dërgohen qendrave të vaksinimit”, thuhet në njoftimin e një dite më parë.

Ndërkohë ka vijuar vaksinimi masiv me kalendar të kombinuar, për të moshuarit +70 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike.

Po kështu janë vaksinuar edhe punonjësit e policisë dhe gazetarët.

Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.

Në 24 orët e fundit janë kryer 13.826 vaksinime, ndërsa që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 206.708 doza të vaksinës ndaj COVID19.

Deri tani janë kryer 35.588 vaksinime për personelin shëndetësor, 26.906 vaksinime për arsimtarët, 4370 vaksinime për punonjës të policisë dhe gazetarë, 141,631 vaksinime për të moshuarit./Burimi:EuroNews