A Janë Vaksinat Përforcuese Mënyra Më E Sigurt Kundër Variantit Delta?

307 0

Hulumtimet kanë treguar se njerëzit e vaksiunuar kanë më pak gjasa të infektohen me Covid-19.

Por në rast se infektohen kanë më pak gjasa të shfaqin simptoma të rënda.

Sidoqoftë, ato tregojnë gjithashtu se vaksinat ekzistuese mund të ofrojnë më pak mbrojtje kundër varianteve të reja të SARS-CoV-2, siç është varianti delta.

AgroWeb.org ju njeh më tepër rreth vaksinave përforcuese dhe arsyeve pse ekspertët e shëndetit këshillojnë marrjen e tyre.

Çfarë janë vaksinat përforcuese?

Vaksinat përforcuese janë doza shtesë të vaksinave që duhet të sigurojnë më tepër mbrojtje kundër sëmundjeve, pasi efektet e tyre mund të zhduken me kalimin e kohës.

Përforcuesit e vaksinave janë të zakonshme për shumë infeksione virale, përfshirë gripin, i cili kërkon një përforcues çdo vit.

Për disa vaksina, marrja e tyre në doza më të vogla dhe në mënyrë të shpeshtë, ka më tepër efektivitet sesa marrja e një doze të vetme dhe në sasi të madhe.

Kjo metodë lejon sistemin imunitar të ndërtojë përgjigjen e tij imune në mënyrë më të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Edhe pse shumë përforcues të vaksinave janë identike me dozat e mëparshme, disa janë modifikuar për të rritur efikasitetin e tyre.

Për shembull, vaksina e gripit ndryshon çdo vit për t’iu përgjigjur në mënyrë më efektive mutacioneve të reja të virusit të gripit.

Pse këshillohet të merrni doza përforcuese?

Në përgjithësi ka dy arsye pse njerëzit këshillohen të bëjnë doza përforcuese.

E para është se imuniteti dobësohet me kalimin e kohës. Pa ekspozim të përsëritur ndaj antigjeneve të caktuar, sistemi imunitar mund të bëhet më pak i aftë për të parandaluar infeksionet ose sëmundjet.

Një arsye tjetër është se disa variante kanë evoluar për të infektuar më lehtë ata që kanë një përgjigje imune ekzistuese ndaj virusit. Si për shembull, ata persona që janë infektuar ose vaksinuar më parë.

Por edhe pse të dhënat ekzistuese tregojnë se shumica e vaksinave COVID-19 prodhojnë një përgjigje imune të forte, që ofron mbrojtje të mjaftueshme kundër virusit, mbetet e paqartë për sa kohë ato do të vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje.

Cilët individë mund të përfitojnë më tepër nga dozat përforcuese?

Nga dozat përforcuese mund të përfitojnë individët e moshuar ose ata me një sistem të dobët imunitar.

Kjo pasi trupat e tyre mund të mos kenë krijuar një përgjigje të fortë imune pas vaksinave fillestare.

Bazuar në të dhënat aktuale të AgroWeb.org, për njerëzit që i përgjigjen mirë vaksinës, duket se imuniteti mbetet i fortë për më shumë se 12 muaj dhe funksionon edhe kundër varianteve të reja.

Studimi mbi vaksinat përforcuese kundër COVID-19.

Studimi që heton dozat përforcuese të vaksinave, është duke u zhvilluar aktualisht.

Megjithatë disa studime të hershme, sugjerojnë që edhe pse vaksinat aktuale ofrojnë një mbrojtje kundër varianteve ekzistuese, mbrojtja mund të ulet pasi virusi të pësojë mutacion dhe të shfaqen variante të reja.

Për këtë arsye, studiuesit besojnë që vaksinat përforcuese, mund të jenë të nevojshme për të parandaluar infeksionet.

Një studim tjetër, tregoi se pasi njerëzit morën dozën e rekomanduar të vaksinës Johnson & Johnson, ata ishin imunë ndaj varianteve të shumta SARS-CoV-2, përfshirë variantin delta.

Megjithatë, studiuesit vunë re se përgjigja imune ndaj variantit delta dukej të ishte më e dobët se ajo ndaj varianteve të mëparshme të SARS-CoV-2.

Shumë prova klinike janë duke u zhvilluar për të mësuar më shumë rreth kohëzgjatjes së imunitetit pas vaksinimit, apo se si ndryshon imuniteti pas një doze të tretë.

Por derisa shkencëtarët të mbledhin dhe publikojnë rezultatet e këtyre studimeve, pyetja nëse dozat përforcuese të vaksinave janë vërtet të dobishme në luftën kundër COVID-19, mbetet pa një përgjigje përfundimtare.

Tani për tani, ekspertët rekomandojnë që njerëzit të vaksinohen me cilëndo vaksinë që është e disponueshme në vendin e tyre./AgroWeb.org