Rritja e inflacionit, ndikimi në ekonominë shqiptare

809 0

Makthi më i madh për çdo guvernator, është kur xhindi i inflacionit iu del nga shishja dhe se bindin dot të futet sërish brenda, po aq shpejt sa dhe doli. Opsioni që ndjekin Bankat Qëndrore në politikat e tyre monetare për rritje të inflacionit, në mënyrë që t’i japin një shtysë rritjes ekonomike, vjen gjithmonë me një çmim shumë të kripur. E para sepse ky targetim bëhet në kurriz të zhvlerësimit të kursimeve të njerëzve dhe sepse prish në një farë mase stabilitetin e çmimeve. Dhe sepse në fund nuk është një lojë fëmijësh, sepse rritja e inflacionit nuk është kurrë një rrugë e lehtë për tu kapërcyer.

Madje as për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Javën e kaluar, Guvernatori bëri të ditur vendimin e Bankës së Shqipërisë për rritje të inflacionit në 2% për këtë vit dhe rritje graduale drejt objektivit të synuar nga Banka me 3% për dy vitet e ardhshme. Në pamje të parë, kjo duket si një lëvizje e sigurtë, duke qenë se norma e inflacionit në 2-3% konsiderohet si një zonë e sigurtë, por kur mendon se Shqipëria për shumë vite ka ruajtur inflacionin në nivelin 1.8% natyrshëm lind pyetja: pse tani kjo rritje?

Guvernatori i ka dhënë një përgjigje kësaj pyetje duke shpjeguar se: “Parashikimi mbi ecurinë e inflacionit në dy vitet në vijim mbështetet në projeksionet tona për një rritje progresive të ekonomisë dhe për një shfrytëzim më të plotë të kapaciteteve prodhuese gjatë viteve të ardhshme. Ekonomia shqiptare parashikohet të ketë ritme më të larta rritjeje në dy vitet e ardhshme”, shprehet me optimizëm Sejko.

Ndërkohë që parashikimet për këtë vit duken disi më të zymta. Vetëm javën e kaluar Shqipëria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i ulën parashikimet për rritje në 2.7 përqind nga 3 përqind që ishte për vitin 2015. Kjo edhe si pasojë e uljes së çmimeve në tregjet botërore për eksportet shqiptare të mineraleve dhe të naftës. Por, pavarësisht kësaj, Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia do të rritet më shumë gjatë këtij viti krahasuar me 1.89% të një viti më parë. Fakt, që mund të ndryshojë edhe në varësi të zhvillimit të ngjarjeve financiare tek fqinjët grekë, ku punojnë më shumë se 600.000 emigrantë shqiptarë.

Në raportin e tij, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se gjysma e dytë e vitit mund të shënojë ritme më të ngadalta rritjeje, si pasojë e ndikimit të mundshëm negativ të ngjarjeve në Greqi, ndërkohë që inflacioni rritet. “Sigurisht që situata komplekse në sistemin financiar grek do të jepte, të paktën në afat shkurtër një “goditje” për Shqipërinë dhe ekonominë e saj, nisur nga shkalla e ekspozimit dhe ndërlidhjes ekonomike që të dy ekonomitë kanë”, thotë Elvin Meka, zv Dekan dhe Shefi i Departamentit të Financës në Universitetin Evropian të Tiranës. Meka është i mendimit që ndikimi më i madh do të vërehej në problematikat që lidhen me çështjen e tregtisë bilaterale dhe investimeve me origjinë nga shteti grek, sesa në nivelin e rritur të inflacionit. “Gjithsesi, duhet pritur data 20 gusht, ditë në të cilën maturohen interesat e obligacioneve të qeverisë greke, që zotërohen nga Banka Qendrore Europiane, për të kuptuar më qartë panoramën dhe situatën reale të sistemit financiar grek dhe ndikimit të mundshëm të tij në sistemet financiare të rajonit dhe më tej”, thotë Elvin Meka, në një intervistë për Agroweb.

Me rritjen e inflacionit kosto e të mirave dhe shërbimeve rritet, fuqia blerëse e lekut bie duke goditur në këtë mënyrë shtresën e ulët dhe të mesme të popullsisë

Por ndërkohë që presim që kriza greke të ftillohet, Leku shqiptar ka nisur të rrokulliset, duke u zhvlerësohet. Por ekzaktësisht çfarë do të thotë kjo për ekonomitë tona personale, si ndikon në jetën tonë të përditshme inflacioni. Nga perspektiva e një Banke Qendrore, inflacioni është një problem i menaxhueshëm, madje me raste edhe i dëshirueshëm, duke qenë se mund ta kontrollojnë inflacionin duke shtrënguar politikat monetare, përmes rritjes së normës bazë të interesit.

Norma e inflacionit zakonisht matet nga Indeksi i Çmimeve, që matet nga Instituti i Statistikave për produktet e shportës, që janë ushqimet dhe të shërbimeve për të gjithë vendin dhe më pas raportohet në përqindje si rritje apo ulje. Çka e thënë më thjeshtë do të thotë se nëse kosto e të mirave dhe shërbimeve rritet, fuqia blerëse e lekut bie duke goditur në këtë mënyrë shtresën e ulët dhe të mesme të popullsisë.

Pra, për të kompensuar rritjen e çmimeve, konsumatorët priren të blejnë më pak, duke kaluar tek produkte që kushtojnë më lirë dhe të bëjnë madje edhe kilometra të tërë që të gjejnë pazare me leverdi. Kjo është veçanërisht e vështirë, në një kohë që portofoli nuk rritet me të njëjtat ritme si kosto e jetesës.

Në një llogari të thjeshtë, nëse përshembull i jep një personi të varfër 10.000 lekë të reja, ai do t’i shpenzojë të gjitha pasi e ka tejet të vështirë të paguajë për ushqimin, dritat dhe shërbime të tjera. Nëse i jep një personi të pasur të njëjtën shumë parash ai do të shpenzojë shumë pak, pasi nevojat bazike i ka të mbuluara, kështu që ka më shumë gjasa që këto para ose do t’i investojë ose do t’i ruajë. Dhe pikërisht për këtë arsye Banka Qendrore synon inflacionin e targetuar që t’i japë një shtysë ekonomisë: rrit konsumin, ul vlerën e borxhit qeveritar dhe rrit mbledhjen e taksave.

Por nga ana tjetër dëmton depozitat, duke qenë se leku kushton më pak edhe depozitat do të ndikohen. Mund të duket pak kontroverse, por në thelb rritja e inflacionit kërkon pikërisht të nxisë rritjen ekonomike, edhe pse duke e bërë të varfërin më të varfër. Për momentin Shqipëria është në zonën e sigurtë të 2% me premisë për 3% në vitin e ardhshëm, që sërisht konsiderohet e menaxhueshme. Në një kohë të shkurtër inflacioni e ndihmon ekonominë, sigurisht nëse arrijnë ta kthejnë xhindin e inflacionin në kohë brenda në shishe, pasi në një kohë të gjatë rrezikohet hiperinflacioni, i cili mund të kthehet në një makth për Bankën Qendrore dhe për konsumatorin./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.