KE: Korrupsioni dhe informaliteti, gangrena të ekonomisë shqiptare

347 0

Shqipëria 3.4, Maqedonia 4.0, Mali i Zi 4.1, Kosova 4.0. Edhe nëse nuk kuptoni shumë nga termat fiskalë, është e qartë për këdo që performanca e Shqipërisë në rajon nuk është e lartë. Të dhënat janë të raportit më të fundit të Komisionit Evropian për programin e reformave në vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin 2016. Shifrat tregojnë rritjen ekonomike të këtyre vendeve gjatë këtij viti.

Ekspertët evropianë kanë identifikuar se mungesa e mundësisë për financim, niveli i lartë i informalitetit, çështjet e pronësisë, barra e tepërt rregullatore, por edhe shkalla e përhapjes së korrupsionit pengesat kryesore që Shqipërisë i duhet të kapërcejë në mënyrë që të përmirësojë klimën e biznesit. “Kapërcimi i këtyre pengesave kërkon angazhim politik të qëndrueshëm dhe një strategji të koordinuar” thotë raporti.

Shqipëria renditet pas vendeve të rajonit në aspekt të ardhurash, shpenzimesh dhe borxhit të përgjithshëm publik.

Të dhënat fiskale tregojnë që në vitin 2018, të ardhurat e Shqipërisë mund të arrijnë në 27.3 përqind të PBB-së në krahasim me Malin e Zi me 39.6%, Serbinë me 39%, Bosnje-Herzegovinën me 36.4% dhe Maqedoninë me 31.2%. Shqipëria lë pas vetëm Kosovën, të ardhurat e së cilës pritet të jenë 24.4 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së).

Sa i përket borxhit publik, në rastin e Shqipërisë, ai arrin në 70.7% duke qëndruar në të njëjtin nivel me atë të Malit të Zi. Serbia renditet më negativisht në këtë aspekt me një nivel borxhi prej 79.1%.

Raporti thotë që “planet e politikave të Serbisë dhe Shqipërisë të cilat kanë edhe nivelin më të lartë të borxhit publik në rajon, vënë në pah një plan ambicioz të konsolidimit fiskal të përqendruar tek shpenzimet. Megjithatë masat themelore duhet të jenë pak më specifike ndërkohë që rreziqet fiskale që burojnë në veçanti nga ritmi i zbatimit të reformave dhe detyrimet e prapambetura janë akoma të pranishme”.

Sfidat e sektorit të bujqësisë

Çështjet e pazgjidhura të pronësisë, kufinjtë e pasaktë ose të mbivendosur të pronave, kostot e larta të shitblerjes së pronave, regjistrat jo funksionalë ose në mungesë në Shqipëri mbeten problematike për komisionerët evropianë. Sipas tyre, këto çëshje janë akoma të pazgjidhura dhe pengojnë zhvillimin e bujqësisë në vendin tone. “Informaliteti është i shpërndarë gjërësisht në këtë sektor. Siguria dhe standardet e cilësisë nuk janë të zbatueshme dhe investimet kapitale janë të pamjaftueshme” thuhet në raport.

‘Masat për konsolidimin dhe defragmentimin e tokave bujqësore duhet të lejojnë fermerët të shfrytëzojnë mundësitë ekonomike. Afatet kohore, kostot, ndikimi në buxhet dhe ndikimi i pritur në konkurencën në sektor janë të përshkruara qartë në Programin për Reformat Ekonomike. E megjjthatë mund të ketë dyshime mbi nivelin e ambicies dhe mangësinë në fonde. Konsolidimi i pronave dhe tokave do të kërkojë kohë. Si rrjedhojë në vitet 2016-2018, do të ishte e udhës që përpjekjet të përqendroheshin në zgjidhjen e problemeve me titujt e pronave, përfundimin e kornizës ligjore dhe nisjen e punës për kadastrën elektronike” theksohet në raportin e Komisionit Evropian.

Bujqësia ka një potencial domethënës në të gjitha vendet e rajonit. Sidoqoftë fragmentizimi i tokës, paqartësitë në titujt e pronave dhe sistemet jo të zhvilluara teknologjike, konsiderohen pengesa domethënëse. Përdorimi i teknologjive të vjetra ul prodhimtarinë e sektorit në mbarë rajonin. Në këto vende, niveli i investimeve në sektorët privatë dhe publikë për kërkime zhvillime dhe novacion është shumë i ulët dhe nën nivelin e kërkuar që i shtyn ekonomitë e këtyre vendeve të ngjiten më lart dhe të përformojnë më mirë.

BERZH: ‘Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, një nga sfidat më të mëdha kanë standardet e jetesës.; Foto: WebLibrary

Roli thelbësor i bujqësisë në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor

‘Vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Por një nga sfidat më të mëdha qëndron tek standardet e jetesës. Për më tepër përafrimi me Bashkimin Evropian është një shtysë e madhe për investimet në rajon.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një sërë vlerash mjaft tërheqëse për investitorët”.

Kështu theksohet në një dokument të publikuar më herët gjatë këtij viti nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili ekzaminon mënyrat se si vendet e Ballkanit Perëndimor mund të mbyllin hendeqet në vitet e ardhshme duke nënvizuar sfidat, avantazhet e rajonit për investitorët, rreziqet dhe shtysat për zhvillimin ekonomik.

Sipas dokumentit “rajoni i Ballkanit ka një bujqësi mjaft intensive. Bujqësia (së bashku me peshkimin dhe blegtorinë) përbëjnë mesatarisht 12% të vlerës të shtuar, që varion nga 7% në Bosnje dhe Herzegovinë deri në 23% në Shqipëri. Bujqësia luan një rol thelbësor në vendet e Ballkanit Perëndimor edhe në aspektin social dhe atë të punësimit, në kontrast me vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe ato të BE-së ku ky sektor përbën mesatarisht 4% të ekonomisë.

Dokumenti nënvizon rëndësinë e turizmit duke theksuar se “shumica e këtyre vendeve kanë një potencial të fuqishëm për rritje ekonomike në sektorin e turizmit. Në vitin 2013, të ardhurat nga turistët ndërkombëtarë përbënin 21% të PBB-së në Maqedoni dhe 13% të PBB-së në Shqipëri. Të dyja këto vende, si dhe shumë të tjerë në rajon kanë pritshmëri të larta për rritjen e numrit të turistëve në të ardhmen, si pasojë e përmirësimit të cilësisë së infrastrukturës dhe shërbimit drejt standardeve të tregjeve më të përparuara perëndimore.”

Aktivitetet informale janë gjërësisht të përhapura në Shqipëri dhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor duke mbajtur peng zhvillimin e bizneseve të ligjshme, të ardhurat nga taksat dhe pengojnë mbrojtjen në punë, sipas BERZH. Në Shtator të vitit 2015, qeveria shqiptare ndërmorri një fushatë intensive kundër informalitetit. Programi është akoma në faza fillestare, por ka prodhuar rezultatet e para. Informalitetit dhe korrupsioni i përhapur mbeten akoma pengesat kryesore të ekonomisë shqiptare. Këtë e thonë të gjitha raportet e BE-së dhe ato ndërkombëtare mbi ekonominë.

Bashkimi Evropian ka qenë shumë i prerë sa i përket reformës në drejtësi, duke e bërë të qartë se korrupsioni është pengesa kryesore për ekonominë e Shqipërisë. Thelbi mbetet; luftoni korrupsionin, shpëtoni ekonominë./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.