Niveli i kredive me probleme është ulur përgjatë dhjetorit 2016 në 18.2% dhe situata ekonomike është përmirësuar. Kështu u shpreh Guvernatori Gent Sejko pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku veçoi se të ardhurat vjetore u rritën me 7.3% kryesisht nga sektori i turizmit, por vërehet ecuri e dobët e eksporteve të mallrave në tregjet e huaja.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë në interesit, në nivelin 1.25%. Gjithashtu, Këshilli vendosi të mbajë të pandryshuar edhe normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.25 dhe 2.25%.

Sipas BSH inflacioni ka ardhur në rritje në 2.2% si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe naftës.

Ndërkohë rritja ka pasur edhe punësimi në 8.5% dhe rënie të papunësisë në 14.7% dhe shpenzimeve në 2%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko tha se “Të dhënat e disponuara sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në vend vazhdon të shënojë rritje. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik ka sjellë përmirësime në treguesit e tregut të punës dhe është pasqyruar në një rritje graduale të inflacionit drejt objektivit. Politika jonë monetare lehtësuese, e pasqyruar në reduktimin e kostove të financimit dhe në uljen e primeve të rrezikut, mbetet një faktor vendimtar në këtë tablo zhvillimi”.

“Parashikimet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Banka e Shqipërisë pret një forcim të rritjes ekonomike gjatë dy viteve të ardhshme dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2018″, tha Sejko.

Ai bëri më pas një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike. “Inflacioni ka ardhur në rritje gjatë muajve të fundit, duke shënuar një normë vjetore prej 2.2% në muajin dhjetor. Në aspektin e kompozimit, rritja e inflacionit gjatë tremujorit të katërt erdhi si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të naftës. Në aspektin makroekonomik, trendi rritës i inflacionit gjatë kësaj periudhe reflekton shtimin e presioneve inflacioniste nga mjedisi i brendshëm dhe reduktimin e presioneve dezinflacioniste nga mjedisi i huaj.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 3.3% gjatë nëntë muajve të parë të vitit dhe me 3.1% në tremujorin e tretë të tij. Rritja ekonomike pasqyroi zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, si dhe rritjen e të ardhurave nga turizmi. Kërkesa e brendshme gjeti mbështetje nga kushtet monetare stimuluese, nga përmirësimi i besimit, nga rritja e punësimit, dhe nga zgjerimi i investimeve të huaja direkte. Nga ana tjetër, kërkesa e huaj kontribuoi pozitivisht në rritjen e eksportit të shërbimeve, por eksportet e mallrave vazhdojnë të shfaqin një ecuri të dobët, si pasojë e çmimeve ende të ulëta të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare”, tha Sejko.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim prezantoi pak ditë më parë në Tiranë, raportin e tranzicionit për periudhën 2016-2017. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko i cili ishte i pranishëm gjatë prezantimit, raporti vlerëson pozitivisht reformat dhe politikat ekonomike të ndërmarra.

“Përfundimet e raportit mbi zhvillimet ekonomike dhe situatën monetare dhe financiare janë të ngjashme me analizat dhe përfundimet e Bankës së Shqipërisë në fund të vitit 2016. Më konkretisht, ekonomia shqiptare ka përshpejtuar ritmet e rritjes mbështetur kryesisht nga politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë dhe transmetimi më efektiv i saj në ekonomi. Këto faktorë, së bashku me gjallërimin e mëtejshëm të kërkesës së brendshme, do të luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e mëtejshme të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2017”, tha Guvernatori./AgroWeb.org