BERZH dhe Societe Generale Albania marrëveshje për rritjen e aksesit në financime për fermerët

348 0

Societe Generale Albania dhe BERZH bashkojnë forcat me qëllim rritjen e aksesit në financime për fermerët vendas dhe agrobizneset, veçanërisht në rajonet më të largëta të vendit.

BERZH së bashku me qeverinë shqiptare, një nga sponsorët e programit do të ofrojnë një instrument të ndarjes së riskut prej 30 milionë euro, i cili pritet të gjenerojë deri në 60 milionë euro kredi të lëvrueshme nga banka Societe Generale Albania për klientët vendas të agrobiznesit.

Krahas kësaj, fondet e bashkëpunimit teknik do t’i mundësojnë bankës Societe Generale Albania zhvillimin dhe marketimin e produkteve të reja financiare që do të përmbushin nevojat e sektorit të agrobiznesit në vend.

Bujqësia është një sektor kyç i ekonomisë shqiptare që siguron punësim për më shumë se 50 për qind të popullsisë së zonave rurale dhe përbën rreth 20 për qind të PBB-së së vendit. Pavarësisht kësaj, sektori mbetet shumë pak i shërbyer nga institucionet financiare, ku kreditë për agrobiznesin përbëjnë vetëm 2 për qind të kreditimit total për ekonominë, sipas agjensisë së lajmeve Atsh.

Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri, i prezantuar nga BERZH dhe qeveria shqiptare në fillim të vitit 2016, e adreson këtë sfidë duke përmirësuar aksesin në financime për agrobizneset vendase përmes linjave të dedikuara të kredisë ose nëpërmjet instrumenteve të ndarjes së riskut të huadhënies për sektorin e agrobiznesit. Qeveria ka mundësuar deri në 36 milionë euro në mbështetje të programit dhe BERZH po ofron deri në 100 milionë euro për financime dhe instrumente të ndarjes së riskut.

Drejtori i zyrës së BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli deklaroi se marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm për zhvillimin e programit tonë dhe për sektorin e agrobiznesit në Shqipëri. Ndërsa kreu i Societe Generale Albania, Frederic Blanc shtoi se ky program është në përputhje me vizionin tonë.

“Duke qenë prezentë prej 10 vitesh me 40 zyra në të gjithë vendin dhe rreth 400 punonjës, nëpërmjet këtij programi ne besojmë se do të sjellim një vlerë të shtuar në shumë familje, komunitete apo biznese në vend. Impakti pozitiv do të jetë polivalent edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë përfshirë në bilancin tregtar duke u mbështetur në avantazhet e vetë mjedisit shqiptar”, tha ai.

Përveç instrumentave financuese, ky program përfshin edhe asistencë teknike për t’i mbështetur institucionet financiare në zgjerimin e huadhënies, si dhe shërbime këshillimore nëpërmjet programit të BERZH të Këshillimit për Bizneset e Vogla, për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në këtë sektor të rrisin performancën e tyre në një larmi fushash dhe të bëhen më të kreditueshme. BERZH vazhdon gjithashtu të mbështesë institucionet shqiptare me aktivitete specifike në favor të reformave sektoriale, në koordinim me partnerë të tjerë zhvillimi.

Që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri, BERZH ka investuar mbi 1 miliardë euro në rreth 75 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit. Banka është aktive në të gjithë sektorët e ekonomisë me një fokus të veçantë tek infrastruktura dhe energjia ku kërkesat dhe potenciali janë të larta. Prioritetet strategjike të BERZH për periudhën 2016-2018 për vendet ku Banka investon janë ri-energjizimi i rritjes, konsolidimi i integrimit rajonal dhe adresimi i sfidave globale./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.