BERZH parashikon rritje pozitive të ekonomisë shqiptare

309 0

Ekonomia rajonale lëngoi pak në fillim të këtij viti, por pasi i ka kuruar disi plagët e marra nga portofoli i kredive të këqija, është gati të rikthehet në formë. Shqipëria është një nga vendet që në vitin e ardhshëm, sipas raportit të fundit të Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të ketë një rritje ekonomike prej 3.3%. BERZH e sheh ekonominë shqiptare drejt një trendi pozitiv, por jo para se të ketë kaluar edhe disa pengesa siç është lufta kundër informalitetit dhe ulja e kredive të këqija, të cilat janë jetike për rinxitjen e kreditimit në vend.

“Problemi i informalitetit në ekonomi daton prej shumë kohësh dhe frenon zhvilimin e biznesit të ligjshëm ashtu dhe të ardhurat e ulëta nga taksat. Në mënyrë të veçantë problemi është më akut në sektorin bujqësor, ku është shumë e vështirë për të marrë kuponin tatimor”, thuhet në raportin e BERZH në të cilin sugjerohet të ketë një përfshirje më të madhe të sektorit privat në infrastrukturë dhe energji.

Në mënyrë që të rritet kreditimi i ekonomisë, raporti i BERZH-it sugjeron që Shqipëria të aplikojë një model të ri të financimit të ekonomisë. Peter Sanfey, drejtor i Sektorit për Çështjet Ekonomike të Vendeve në BERZH, theksoi nevojën e lehtësimit të kreditimit për rritjen e investimeve në ekonomi, duke qenë se Shqipëria është një vend me shumë potencial dhe financimi është një faktor kyç.

Kreditimi në vitet e fundit ka pësuar një ngadalësim të konsiderueshëm. Mungesa e tregut të kapitalit ngelet një problem për të siguruar financimin e investimeve të reja, me kosto më konkurruese. “Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa konkretë për të nxitur kërkesën dhe ofertën e kredisë. Këto janë masat që synojnë uljen e kostos së financimit, trajtimin e kredive, futjen e normave mbikëqyrëse të kujdesshme në kreditimin në valutë të huaj dhe promovimin dhe ristrukturimin e kredive. Gjithashtu, ne kemi tërhequr vëmendjen e bankave dhe bizneseve që strategjitë e tyre të biznesit të jenë më racionale dhe largpamëse”, tha Guvernatori Sejko.

Ndërkohë një tjetër sektor që ka pasur rritje dhe nga BERZH shihet me potencial zhvillimi, është ai energjetik. Kjo edhe për shkak të reformës së ndërmarrë në sektor dhe interest në rritje të investitorëve të huaj.

Projektimet e BERZH janë inkurajuese për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, pavarësisht pengesave që i duhet të kalojë, në mënyrë që shifrat e rritjes të jenë soloide jo vetëm në përqindje, por edhe në zhvillim real.

Prioritetet kyçe në vitin 2016

  • Përpjekjet për uljen e informalitetit janë të mirëpritura, por kërkohet zbatim. Problemi i informalitetit në ekonomi daton prej shumë kohësh dhe frenon zhvillimin e biznesit të ligjshëm ashtu dhe të ardhurat e ulëta nga taksat. Problem mbetet sektor bujqësor, ku formalizimi është dhe shumë më i vështirë. Duhet të inkurajohet përfshirja e sektorit privat në infrastrukturë dhe energji.
  • Duhet të ketë më shumë përpjekje në përfshirjen e kompanive private në sektorin energjetik, për më tepër që tani reformat konkrete në këtë sektor po implementohen. Partneriteti mes sektorit publik dhe atij privat duhet të forcohen më shumë veçanërisht në sektorin rrugor.
  • Implementimi i sukseshëm i kredive të këqija është kritik për rritjen e kredimit në vend. Masat e marra nga autoritet deri më tani kanë ndihmuar në stabilizimin e situatës, por kërkohet më shumë punë për ti ulur kreditë me problem në nivele të pranueshme./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.