Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kroacisë po njohin rritje nga vit në vit.

Sipas statistikave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, shkëmbimet tregtare mes dy vendeve në volum, për 11 mujorin llogariten 79.657 tonë nga 55.009 tonë që ishin në 2018.

Ndërsa në vlerë, shkëmbimet tregtare ishin 7.481 milionë lekë nga 6.770 milionë lekë që shënuan në 11-mujorin e 2018-s.

Eksportet shqiptare drejt Kroacisë, në 11-mujorin e 2019-s arritën në volum në 9.276 tonë, duke u rritur me tepër se 2 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018-ës. Ndërsa në vlerë llogariten mbi 1 miliard lekë.

Në të njëjtën periudhë të 2018-s në volum, eksportet shqiptare drejt Kroacisë llogariten 4.524 tonë, ndërsa në vlerë 824 milionë lekë.

Si peshë specifike eksportet shqiptare drejt Kroacisë zënë vetë 0,7% të volumit në 2019-ën me një rritje të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018-ës.

Produktet Shqiptare më të Kërkuara nga Kroacia

Nga Shqipëria, Kroacia importon:

  • alumin,
  • këpucë,
  • peshk të përpunuar,
  • barishte,
  • perime

Importet nga Kroacia Drejt Vendit Tonë

Për sa i përket importeve nga Kroacia drejt vendit tonë, të dhënat e publikuara nga DPD-ja tregojnë se atë janë rritur me rreth 20 mijë tonë, në 11-mujorin e 2019, krahasuar me 2018-n.

Ato arritën në 70.381 tonë në 11-mujorin e 2019-s nga 50.485 tonë që u shënuan në 11-mujorin e vitit paraardhës.

Në vlerë importet kroate llogariten 6.4 miliardë lekë në 2019-n nga 5.9 miliardë lekë që ishin në 2018-n. Si peshë specifike ato arritën në rreth 3.7 të volumit të mallrave të importuara gjithsej.

Shqipëria importon nga Kroacia kryesisht naftë, produktet e peshkut, transformatorët elektrikë dhe çokollata.

Fushat me Interes Më Të Lartë Për Bashkëpunim Mes Shteteve

 

Fushat më me interes për bashkëpunim janë energjia, inxhinieria mekanike, elektrike dhe elektronike, farmaceutike, ushqimore, tekstile e këpucë, dhe veçanërisht ndërtimi.

Shqipëria paraqet edhe mundësi të mëdha për investime, pasi barra fiskale për investitorët e huaj është ndër më të ulëtat në rajon. Qeveria ka ngritur një agjenci (AIDA), e cila asiston çdo investitor të huaj që në hapat e parë./Burimi:ATSh