E Ardhmja e Biznesit në Ballkanin Perëndimor Pas Pandemisë

395 0

Pandemia përfaqëson një dritare të rrallë e të ngushtë mundësish për të reflektuar, për të riimagjinuar dhe për të riformatuar botën

Vendet e Ballkanit Perëndimor u përfshinë po ashtu në hartën e vendeve të goditura nga pandemia. Për pasojë, edhe në këto vende pati kufizime strikte, në përpjekje për të parandaluar kolapsin e sistemit shëndetësor, në funksion të shpëtimit të sa më shumë jetëve njerëzore. Këto masa paraprake duket sikur funksionuan, së paku në rrafshin e parandalimit të përhapjes së sëmundjes. Sikurse tregojnë edhe statistikat e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, shkalla e prekjes së popullsisë nga Covid-19 ishte relativisht më e ulët sesa ajo e vendeve të zhvilluara të BE-së.

Ndonëse në jetët humane nuk pati humbje të mëdha, krahasuar me vendet e tjera të Europës, si Italia apo Spanja , humbja ekonomike e këtyre vendeve pritet të jetë e thellë. Bazuar në raportet më të fundit të publikuara nga FMN apo BB, për vendet e Ballkanit Perëndimor, ekonomia e këtyre vendeve për vitin 2020 pritet të jetë në recesion, pra me një humbje të prodhimit të brendshëm në mesatarisht 3.1%. Megjithatë, rënia e parashikuar për vendet e BE-së është edhe më e lartë, në rreth 7.5%.

Mendoj se thënia e prof. Klaus Schwab, drejtues ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror, “pandemia përfaqëson një dritare të rrallë e të ngushtë mundësish për të reflektuar, për të riimagjinuar dhe për të riformatuar botën”, do të funksiononte më së miri në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht rënies ekonomike të projektuar për vitin 2020, koha e rimëkëmbjes së këtyre shteteve e për pasojë dhe e bizneseve që operojnë në këto vende, pritet të jetë më e shpejtë. Kjo mund të arrihet nëpërmjet kthimit të disavantazheve që këto vende kanë, në mundësi zhvillimi për të ardhmen.

Parajsa e kostove të ulëta

Së pari, vendet e Ballkanit Perëndimor, ndonëse kanë produktivitet disi më të ulët të forcës punëtore, krahasuar me vendet e tjera të bllokut ish-komunist anëtare të BE-së (si Bullgaria, Kroacia, Hungaria, etj.), krijojnë një “parajsë” për kostot e ulëta të fuqisë punëtore në Europë. Kështu këto vende kanë potencial të madh zhvillimi, sidomos në sektorët të cilët kërkojnë përdorim të lartë të forcës punëtore.

Më e lehtë të bësh biznes

Së dyti, pavarësisht dobësive, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë përmirësuar ndjeshëm pozicionet e tyre në renditjen globale sipas raporteve “Doing Business”, të publikuara nga Banka Botërore. Madje progresi i tyre, sipas këtyre raporteve, është edhe më i lartë sesa Kroacia, vend fqinj i anëtarësuar në BE. Vijimësia me këto ritme e këtij progresi është e mundur edhe në periudhën post-pandemi.

Kjo, për vetë faktin se një set masash i cili të synojë lehtësi të mëtejshme, si në hapjen e një biznesi, rritjen e aksesit në financë të firmave, lehtësi të tjera fiskale, apo forcim të mëtejshëm të sistemit gjyqësor, – të gjitha këto hallka të përdorura në vlerësimin e rrethanave apo kushteve të të bërit biznes në një vend të caktuar, rrit automatikisht renditjen e tyre në bërjen biznes.

E thënë ndryshe, duke qenë se ekzistojnë ende hapësira për t’u përmirësuar më tej në secilën prej shtyllave të lartpërmendura, një përmirësim sado i vogël i tyre rrit shanset për t’u pozicionuar më lart në renditje, krahasuar me ato vende, të cilat i kanë pak a shumë të konsoliduara këto shtylla.

Orientim drejt industrisë dhe bujqësisë

Pas rënies së komunizmit, vendet e Ballkanit Perëndimor patën një zgjerim të shpejtë të sektorit të shërbimeve, duke tkurrur në të njëjtën kohë sektorin industrial apo atë të bujqësisë. Post-pandemia, së treti, mund të shihet si një mundësi për të drejtuar bizneset drejt sektorit industrial dhe atij të bujqësisë, si dy sektorë që mund të jenë premtues në të ardhmen.

Investimi në përmirësimin e aftësive të fuqisë punëtore do të rriste produktivitetin e tyre në të ardhmen, duke siguruar në këtë mënyrë një rritje të avantazheve konkurruese të forcës punëtore. Rritja e tyre krijon premisa, nga ana tjetër, për zbutjen e deficiteve të larta tregtare që këto vende kanë (pasi importet janë më të larta krahasuar me eksportet në të gjitha këto vende).

Në këtë mënyrë krijohet një efekt zinxhir, hallkat e të cilit ushqejnë njëra-tjetrën: produktiviteti më i lartë sjell eksporte më të larta, të cilat forcojnë edhe më shumë ekonominë e këtyre vendeve. Zhvillimi ekonomik, nga ana tjetër, krijon ambient më të favorshëm për klimën e biznesit, duke kthyer kështu një efekt spiral, biznes – zhvillim ekonomik./Burimi:Monitor