Ecuria pozitive e ekonomisë botërore impakt edhe në Shqipëri

366 0

Ecuria pozitive e ekonomisë botërore pritet të vazhdojë në periudhën 2017- 2018, e mbështetur nga vijimi i rritjes graduale ekonomike në vendet e zhvilluara dhe forcimi i kontributit pozitiv nga ekonomitë e vendeve në zhvillim.

Banka e Shqipërisë, në raportin e publikuar së fundi citon se, në Eurozonë, efekti pozitiv i politikës monetare lehtësuese mbi konsumin dhe investimet private do të vijojë të mbështesë rritjen ekonomike, impakti i së cilës do të reflektohet edhe në ekonominë shqiptare.

Megjithatë, zhvillimet politike në vendet e zhvilluara dhe mundësia që ato të shoqërohen me ndryshim të politikave ekonomike, vlerësohen aktualisht si faktori kryesor që mund të ndikojë mbi pritshmëritë për ecurinë e ekonomisë botërore.

“Një përmirësim i mëtejshëm i ekonomisë botërore, duke përfshirë atë të Eurozonës dhe të rajonit të Ballkanit, do të shoqërohej me rritjen e kontributit pozitiv të sektorit të jashtëm në ecurinë e ekonomisë shqiptare.

Në fakt, ky kontribut është shfaqur më i fortë në ecurinë e bilancit të pagesave për tremujorin e katërt të vitit 2016, kur rritja e tepricës pozitive në llogarinë e shërbimeve dhe një performancë më e mirë e eksporteve kanë sjellë uljen e deficitit të llogarisë korrente”, citon BSH.

Sipas Bankës Qendrore, në tërësi, rritja e ekonomisë së vendit në tremujorin e katërt të vitit 2016, u përshpejtua duke shënuar një normë rritjeje prej gati 4%. Sipas sektorëve të ekonomisë, në rritjen ekonomike dhanë kontribut pozitiv sektori i shërbimeve dhe i prodhimit.

Rritja e aktivitetit ekonomik në vend është shoqëruar me rënie të mëtejshme të papunësisë, si në terma vjetorë ashtu edhe tremujorë, në nivelin prej 14.2% në fund të vitit, vëren raporti. Burimi: ATSH

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.