TVSH për turizmin – Nxit investimet dhe punësimin

204 0

Komisioni Parlametnar i Ekonomisë dhe Financave miratoi të hënën uljen e TVSH-së në njësitë akomoduese në sektorin e turizmit nga 20 % që është aktualisht në 6 %, i cili vitet e fundit është kthyer një nga mbështetësit kryesor të ekonomisë dhe nxitës i punësimit.

Në 2016 të ardhurat nga turizmi në vendin tonë arritën një rekord prej 1.5 miliardë eurosh sipas Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) gjatë 2016, vendin tonë e vizituan 4.7 milionë udhëtarë, me një rritje prej 15% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Ministri i Financave i pranishëm në mbledhjen e komisionit u shpreh se ulja e TVSh-së në sektorin e turizmit do të sjellë formalizimin e këtij sektori.

Ulja e normës së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar pritet të ketë ndikim në rritjen e numrit të turistëve në vend. Efektet negative që vijnë si pasojë e uljes së normës së TVSh-së, sipas ministrit Ahmetaj do të reduktohen nga rritja e bazës së taksueshme.

Komuniteti i biznesit përshendeti nismën e qeverisë për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga 20-6 % për njësitë akomoduese në sektorin e turizmit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, të mbajtur në fillim të këtij muaji, krerët e shoqata të biznesit që operojnë në treg, njëzëri e vlerësuan këtë nismë si mjaft të rëndësishme për zhvillimin e këtij sektori.

Sipas tyre, ulja e TVSH-së në nivelin 6 % do të rrisë investimet në këtë sektor, çka do të çojë në përmirësimin e shërbimit për konsumatorin, por do të rrisë edhe punësimin.

Zak Topuzi, kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit u shpreh se nga kjo masë e qeverisë do të përfitojnë rreth 3900 njësi akomoduese në vend, duke nisur nga hotelet, motelet apo bujtinat. Sipas tij, taksat e larta kanë qënë një ndër faktorët që ka dhënë ndikimin më negativ në frenimin e investimeve në këtë sektor. Burimi: ATSH

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.