Eksportet Shqiptare Drejt 75 Vendeve Të Botës – Produktet Më Të Kërkuara

241 0

Bujqësia është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë e cila jep një kontribut prej 18-20 % në Prodhimin e Brendshëm Bruto, ndërsa angazhon gati 37 % të fuqisë punëtore me punë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë konferencës së përjavshme “Ekonomia në fokus”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama deklaroi se falë politikave të ndjekura nga qeveria për lehtësimin e eksporteve shqiptare të prodhimeve bujqësore janë rritur me 145 % në 2020-n krahasuar me vitin 2013.

Sot, tha Ekonomi, produktet bujqësore shqiptare shkojnë në 75 vende të botës, kryesisht në Bashkimin Europian por edhe më larg, si SHBA, Kinë, Hong-Kong.

“Nuk mund të shkonin prodhimet në tregjet botërore nëse nuk realizonim një sërë lehtësirash përfshirë edhe mbështetjen për ngritjen e pikave të grumbullimit”, deklaroi Ekonomi.

Ekonomi tha se mbështetje ka patur edhe për sektorin e peshkimit dhe kjo është reflektuar nga rritja e jashtëzakonshme e produkteve të peshkimit me 61.8 % në 2019. “Eksportet e këtij grupi kanë arritur shifrën rekord prej 100 milionë euro”, tha Ekonomi.

Kjo rritje, vuri në dukje ajo, nuk ka ardhur thjeshtë nga iniciativa e peshkatarëve, por rol të madh kanë luajtur investimet e zgjuara që ka bërë qeveria shqiptare në bujqësi.

Duke u ndalur në këto politika investimesh që ka kryer qeveria, ministrja Ekonomi tha se investimet kanë qenë gjithpërfshirëse, por edhe të fokusuara.

Në investimet gjithë përfshirëse, Ekonomi përmendi investimet prej 19.5 miliardë lekësh në sipërfaqen e tokës arë për ta bërë atë të ujitshme.

“Nga 120 mijë ha ka shkuar në 255 mijë ha sipërfaqja e tokës së ujitshme, ndërsa është përmirësuar edhe sipërfaqja e kullimit, e cila ka arritur në 230 mijë ha”, tha ministrja.

Ministrja renditi disa nga lehtësitë fiskale që qeveria ka aplikuar në sektorin bujqësor.

“Heqja e TVSH-së, në fara e inpute bujqësore, plehra kimike e pesticide, apo për makineritë bujqësore për 27 zëra doganorë në sektorin e peshkimit. Heqja e taksave për gazoil për peshkimin, reduktimi i tatimfitimit në 5 % për shoqëritë e bashkuara bujqësore apo heqja e taksave për naftën për fermerët, janë disa nga incentivat fiskale”, tha Ekonomi.

Ekonomi, po ashtu, bëri të ditur se në bashkëpunim me Bashkimin Europian ka nisur vendosja e blue box në anijet e peshkimit. Aktualisht, informoi ajo, ka përfunduar vendosja e kutive blue box në të gjitha anijet e peshkimit në portin e Durrësit.

Sipas ministres Ekonomi, gjatë vitit 2020 që ishte një vit i vështirë për shkak të pandemisë së COVID-19 një rol thelbësor në rritjen e eksporteve të produkteve bujqësore ka luajtur edhe “korridori i gjelbër”, përmes së cilit u sigurua lëvizja pa ndërprerje e qarkullimit të mallrave bujqësore.

Më tej, Ekonomi vuri në dukje se po punohet fort për dixhitalizimin e qeverisjes.

“Një nga gjërat e rëndësishme për të cilat po punohet fort është përmirësimi i shërbimeve. Sot janë 29 në total shërbimet online, ndërsa përfitues janë 8100 operatorë“, tha ministrja Ekonomi.

Lehtësi më e madhe për të gjithë operatorët në vend lidhur me lehtësirat që ofron qeveria.

Skema kombëtare, vuri në dukje ministrja, përbën një tjetër mbështetje për fermerin duke vënë në dispozicion një shumë të madhe parash. Sipas ministres, nga kjo skemë janë përfitues 27 mijë fermerë në të gjithë vendin. Ndërsa nga skema e IPARD-it përmes fondeve të angazhuara nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian janë kryer 682 investime në asete fizike edhe agropërpunim.

Një tjetër skemë mbështesë, e cila nisi zbatimin këtë vit dhe për të cilën është çelur aplikimi me 15 janar është ajo e naftës pa taksa për fermerët.

Ministrja Ekonomi tha se qeveria ka vënë në dispozicion për fermerët në skemën e naftës falas 9.5 miliardë lekë dhe që përfitues janë të gjithë fermerët me një nipt aktiv dhe që punon jo më pak se 0.4 ha tokë.

Deri tani, tha ajo, kanë aplikuar 3200 fermerë.

Ekonomi foli edhe për sigurinë e produkteve ushqimore. Sipas saj, po zbatohen një set praktikash nga standardet europiane të kontrollit e inspektimit në teren për produktet kryesisht shtazore për të siguruar jetesë më të mirë qytetarëve shqiptarë.

“Janë sot 80 produkte që po identifikohen për të marrë certifikatën e e origjinës, një element ky i rëndësishëm për të çuar përpara eksportin”, tha ministrja.

Duke folur për vreshtarinë, Ekonomi theksoi se prodhimet e vreshtarisë janë shtuar me 12 %, ndërsa sipërfaqja e mbjellë me 13 %.

Po ashtu, tha ajo rritje ka patur edhe sektori i bletarisë. “Janë sot 14 700 ferma që rrisin bletë me rreth 300 mijë zgjoje dhe qeveria ka dhënë një mbështetje të rëndësishme për të mundësuar tregtimin e këtij produkti”, deklaroi ministrja. /Burimi:Atsh