Fermerët e Fierit – Eksportet Bujqësore Janë Rritur Gjatë Tremujorit të Parë

486 0

Eksportet e prodhimeve bujqësore të stinës, kanë shënuar rritje  për shkak të zgjerimit të kërkesës në tregjet e huaja sidomos në vendet e rajonit, në kushtet e pandemisë COVID-19 që ka çuar në një trend rritje konsumin dhe kërkesën.

Rreth 1600 tonë perime të freskëta janë eksportuar vetëm nga rajoni i Fierit në 3-mujorin e parë të vitit 2020, kundrejt 1180 tonëve perime që u eksportuan në të njëjtën periudhë një vit më parë.

Sipas statistikave zyrtare, 143 mjete (trajlerë) janë furnizuar gjatë kësaj periudhe me produkte bujqësore të zonës për eksport, në tregun qendror të shumicës së fruta-perimeve në Fier, kundrejt 104 mjeteve që u regjistruan vitin e kaluar.

Eksportet bujqësore nga tregu i Fierit shkojnë kryesisht në Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, Itali Austri etj.

Në Fier funksionojnë disa tregje të grumbullimit të produkteve bujqësore, të cilat janë lidhur me eksportues të ndryshëm jo vetëm nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian, por po e zgjerojnë hartën e prodhimeve “Made in Albania” edhe në Vendet Nordike: Norvegji e Suedi.

Në kushtet e masave ndaj COVID-19, qeveria vendosi që bujqësia të mos prekej nga kufizimi i lëvizjeve duke vijuar kështu normalisht zinxhiri ushqimor ku krahas furnizimit të bollshëm të tregjeve me prodhime bujqësore të freskëta vijon edhe eksporti “Made in Albania”, me një dinamikë të re zhvillimi pozitiv.

Ndërkohë në pikat e grumbullimit dhe serra fermerët po kujdesen për shëndetin e tyre duke përdorur masa mbrojtëse gjatë pune si maska dhe doreza./Burimi:Atsh