Humbjet Nga Turizmi – Shqipëria Ndër 10 Vendet Me Rënien Më Të Madhe në Evropë

424 0

Pandemia, si dhe masat që ka marrë vendi ynë për mbrojtjen nga virusi COVID-19, ka bërë që 2020-a të jetë një ndër vitet më të vështirë në sektorin e turizmit në Shqipëri, ku humbjet vlerësohen ndërmjet 1 dhe 1. 5 miliardë eurove.

Mbyllja e vendit, por edhe masat kufizuese që ndërmorën qeveritë e shumë shteteve paralizuan këtë sektor, duke krijuar efekt zinxhir edhe në falimentime e largime nga puna.

Sipas të dhënave të Instat, në muajt qershor, korrik, gusht, praktikisht gjatë gjithë kohëzgjatjes së sezonit veror, numri i netëve të qëndrimit nëpër hotele dhe struktura të ngjashme akomoduese në vendin tonë ka rënë me 900 mijë, ose me rreth 50 %.

Kjo bën që Shqipëria të jetë ndër 10 vendet me dëmin më të madh të pandemisë në sezonin veror në Europë, më saktësisht në vendin e 9-të. 

Ndërkohë paketat e ndihmës dhe hapja e sforcuar e kufijve ishin mekanizmat e vetëm që mund të rikuperonin humbjet, por efekti i tyre ishte minimal.

Megjithatë, viti 2021 vjen me perceptime optimiste pas zhvillimit të vaksinave, edhe pse operatorët turistikë kërkojnë stimul të tretë për ringritjen.

Në këtë kuadër, një përgjigje ka ardhur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e cila do të bashkëfinancojë projekte në sektorin turistik duke vënë në dispozicion, për vitin e ardhshëm, një fond prej 30 milionë lekësh.

Sipas Ministrisë, do të mbështeten me fonde  deri në masën 50% nga buxheti i shtetit ato projekte të cilat synojnë promovimin e destinacioneve turistike dhe të vlerave të veçanta të produkteve dhe atraksioneve turistike./Burimi:Euronews