Nga Mollët Dibrane – Lëngu Natyral i Çertifikuar Plot Shije dhe Vlera

567 0

Arkat e mbushura plot me mollët e bukura jeshile janë xhevahiri i parë që të kënaq syrin kur vë këmbën në pragun e fabrikës Kop.Frut Dibër 2012.

Ajri i freskët përreth të freskon mendjen si për të të kujtuar se jo më kot Dibra është aq e njohur për këtë frut të bekuar nga Perëndia.

Tundimi është i madh të rrish aty një copë herë, jo vetëm për të soditur, edhe për të shijuar, por shishet e qelqta me lëngje portokalli ose jeshile të ndjellin vetiu për të bërë përpara.

Nuk qëndron dot gjatë as këtu sepse një sallë e madhe, e pastër dhe e mbushur me makineri përpunuese shkëlqejnë dhe zhurmojnë ambientin deri jashtë.

Gjithçka nis dhe mbaron aty, një proces modern përpunimi që të lë në dorë lëngun e artë, siç ka edhe ermin “Eliksir”.

Vehip Salkurti dhe Namik Shehu, janë dy njerëzit që e kanë bërë të mundur të gjithë këtë: mbledhjen e mollëve të famshme të Dibrës në gjithë zonën përreth, përpunimin e tyre sipas standardeve bashkëkohore dhe prodhimin në fund të një lëngu të shëndetshëm dhe 100 për qind natyral.

Ky standard është edhe arsyeja pse “Eliksir” tanimë ka merituar çertifikimin me ISO22000, në kuadër të projektit ndërkufitar IPA, të financuar nga BE-ja mbi “Standardet dhe Çertifikimi i produkteve Bujqësore, ngritja e Kapaciteteve në përthithjen e Fondeve dhe Strategjitë e Marketingut në Mbështetje të Rritjes Ekonomike dhe Tregtisë të Agrobizneseve”.

Inisiativa e Suksesit

Kop.Frut Dibër 2012 është një iniciativë e nisur e guximshme, por që vit pas viti e ka merituar famën që ka.

Një emër ndoshta i çuditshëm kur e dëgjon për herë të parë por që në fakt i thotë të gjitha: edhe datën e fillimit, si për të shënjuar kohën e fillimit të një historie suksesi; edhe atë çka përfaqëson bashkëpunimin e mbarë, edhe frytin, por edhe emrin e vendit, bërë i famshëm, nga ky frut, Dibrën.

Për të shkuar drejt e në zemër të kësaj iniciative është “Eliksir”-i, një emër kaq shumë domethënës që nënkupton shumëçka.

Siç është vetë lëngu i jetës, “Eliksir” i ruan të gjitha vlerat ushqimore të frutit të mollës, e si i tillë edhe organizmi merr çdo të mirë prej tij.

Mollët e shijshme të Dibrës kanë fituar vendin e nderit edhe në lëng, siç edhe e meritojnë.

Sot, 6 vite pas plan-biznesit të parë, Kop.Frut Dibër 2012 është një investim dinjitoz e përfaqësues për biznesin shqiptar në përgjithësi.

Ambientet e përpunimit të lëngut të mollës, teknologjia e përpunimit janë të fjalës së fundit të teknologjisë.

Në katër dhomat frigoriferike varietetet e ndryshme të mollëve dibrane ruhen të freskëta, për tu përpunuar e më pas hedhur në treg si një lëng 100 për qind natyral dhe i sigurt.

Këtu punohet sipas  standardeve  dhe  praktikave  te  mira bujqësore me qëllim plotësimin e kërkesave  te  konsumatorit, përmbushjen  e standardeve  të  larta  të  cilësisë dhe përmirësimin  ne  mënyrë  te vazhdueshme  në sistemin  e  sigurisë  ushqimore.

Të gjitha këto së bashku shoqërojnë garancinë e këtij produktit, një garanci e shtuar pas ceritifikimit ISO22000. Prandaj nuk ka nevojë të shkoni shumë larg për të gjetur më të mirën e produkteve shqiptare.

Emri mbahet mend lehtë, mjafton të mendoni jetëgjatësinë dhe shëndetin e mirë: Është vërtet Eliksir dhe vjen nga Dibra./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.