Nis më 24 mars aplikimi online për shpërndarjen e fondeve nga buxheti i shtetit në mbështetje të fermerëve, bizneseve eksportuese të bimëve medicinale, prodhuesve të qumështit, subjekteve të agroturizmit, turizmit rural, rritësve të bletëve dhe serrat. Aplikimet mbyllen më 15 prill dhe do të bëhen nëpërmjet portalit e-Albania.

Udhëzimi i Ministrisë të Bujqësisë me kriteret dhe për sektorët që do të mbështeten nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2021 i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton 9 masa financimi për fermerë individualë, grupfermerësh, persona fizikë- juridikë dhe SHBB.

Në udhëzim përcaktohet se kriter parësor për përfitimin e fondit është që fermerët individualë të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv; SHBB-të dhe personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv dhe të kenë shlyer detyrimet e sigurimeve shoqërore.

Pas përfundimit të aplikimit do të shpallet edhe lista e fituesve në faqen zyrtare të AZHBR. Pas kësaj faze fermerët apo subjektet fituese kanë afat 15 ditë për dorëzimin e dokumentacionit. Për masat direkte 1–6, bëhet në agropikën më të afërt ose në zyrat qendrore të AZHBR-së, ose me postë në zyrat qendrore të AZHBR-së, ndërsa për masat 7–9 bëhet në zyrat qendrore të AZHBR-së, ose me Postë në zyrat qendrore të AZHBR-së.

Faturat dhe aktet e zhdoganimit që do të kërkohen për çdo masë mbështetëse direkte, duhet të jenë të lëshuara gjatë vitit 2021. Për masën financiare të investimeve apo  punimet, faturat/aktet e zhdoganimit, dhe transaksionet bankare duhet të jenë pas datës së lidhjes së kontratës. Për masat mbështetëse të investimeve, në rastin e ndërtimeve apo rikonstruksioneve, leja e ndërtimit duhet të jetë jo më vonë se 70 ditë nga data e përfundimit të aplikimeve, në të kundërt subjekti do të skualifikohet. Financimi i shumës së përfituar do të bëhet në bankat e nivelit të dytë. I gjithë dokumentacioni i kërkuar të jetë në gjuhën shqipe ose në rast se është në gjuhë të huaj të jetë i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar dhe i vërtetuar nga noteri.

Sipas udhëzimit të Ministrisë të Bujqësisë aplikimi online është i mundshëm përgjatë 24 orëve, nga ora 00:01 e datës së hapjes deri në orën 24:00, të datës së përfundimit të periudhës së aplikimit. Fermerët kur e kanë të nevojshme gjatë procesit të aplikimit asistohen online, nëpërmjet numrit jeshil 08008383, nga specialistët e agropikave, agjencive rajonale të ekstensionit bujqësor, si dhe shërbimit online (call center) nga Qendra e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA). Aplikimet për masën mbështetëse të investimeve me nr. 7–9 do të bëhen me dosje në zyrat qendrore të AZHBR-së.

Masat financiare mbështetëse

-1,200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 lekë për subjekt, për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10, 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt.

-1,000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje, por jo më shumë se 150,000 lekë për subjekt të mbarështimit të bletëve.

-300,000 lekë/ha dhe 100,000 lekë/ha, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt për zëvendësimin e plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën respektive  Sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik të jetë jo më pak se 0.2 ha. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

-200,000 lekë/ha, por jo më shumë se 1,000, 000 lekë për fermerët individualë dhe për grup-fermerësh, ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (në vijim “SHBB”), jo më shumë se 4, 000, 000 lekë për mbjellje bimësh mjekësore e aromatike. Sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0.2 ha, për grupfermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0.2 ha, kur nuk është në bllok.

-100,000 lekë, në vitin e dytë, 150, 000 lekë dhe 200, 000 lekë për fermë të certifikuar organike, për periudhën në kalim, vitin e parë.

-50 % të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175,000 lekë, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në sipërfaqe jo më pak se 1 ha për implementimi dhe certifikimi Global GAP.

-50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5,000,000 lekë për subjektet në mbështetje për linja/makineri/pajisje për përpunimin, paketimin, standardizimin dhe etiketimin e ullirit, vajit të ullirit, bimëve mjekësore e aromatike dhe qumështit. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

– 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5,000, 000 lekë për subjekt në mbështetje të ngritjes ose rikonstruksionit të ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.

-50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 10,000,000 lekë në mbështetje të subjekteve për investime në agroturizëm kundrejt planit të biznesit. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II./Burimmi:Monitor