Peshkimi: Produktet Shqiptare Çanë Tregjet Evropiane

435 0

Zëvendësministri i Bujqësisë, Roland Kristo deklaroi sot se sektori i peshkimit është ndër më pak të goditurit nga pandemia e COVID-19, pasi pati rritje të konsumit të produkteve shqiptare brenda vendit, por edhe në tregjet evropiane, kryesisht në Itali, Spanjë apo vendet nordike.

“Peshkimi nisi mirë, dy muajt e parë të vitit eksportet ishin me rritje, pastaj pati një rënie, por që e rimori veten.

Një ndër sektorët më të goditur ishte akuakultura. Në maj patëm një rritje 26%, ndërsa sot si gjashtëmujor, eksportet shqiptare kanë një rritje prej 24% në sasi dhe mbi 30% në vlerë.

Standardet 

Ne eksportojmë në Itali, Spanjë, vendet nordike, që janë tregje me standard shumë të lartë”, tha gjatë një interviste në medie, zv.ministri.

Por, zv.ministri u shpreh se problem në këtë sektor mbetet krahu i punës. Sipas tij, të rinjtë shqiptarë nuk e duan këtë profesion, ndaj dhe fatkeqësisht po vijnë peshkatarë nga vendet e Lindjes, si Egjipti, Senegali, etj.

“Rritja që pësoi kjo industri gjatë muajit maj, ishte për faktin se shumë kompani botërore patën bllokim dhe produktet shqiptare çanë tregjet europiane.

Ata kanë parë produktet shqiptare dhe po vijnë, kështu që dhe ne po rrisim kapacitetet, ndaj dhe kjo është me perspektivë.

Ajo që po vë në vështirësi këtë sektor është fakti se shpeshherë nuk gjenden krah pune, kur në fakt pagat janë të mira”, tha zv.ministri.

Pagat 

Sipas tij, shumë subjekte sot kanë marinarë të huaj, që paguhen minimalisht 1000-1500 mijë euro në muaj.

”Kjo për shkak se brezi i parë kanë dalë në pension, të rinjtë nuk e shohin me interes si profesion.

Një rrogë 1 mijë dollarë apo 1 mijë euro në muaj, apo 5 mijë euro për një kapiten, nuk mendoj se është e vogël.

Por, shpresoj që të mos hyjmë në atë pjesën, që fatkeqësisht ka filluar, ku po vijnë peshkatarë të huaj nga Egjipti, Senegali, etj”, deklaroi ai./Burimi:Atsh