Rritja e Çmimeve – Edhe Sa Do Të Zgjasë Kjo Dukuri?

597 0

Vala e rritjes së çmimeve erdhi si cunam në tregjet globale këtë vit, por në vendet në zhvillim, si Shqipëria, ku mundësitë për të amortizuar efektet janë të pakta dhe konsumi është i bazuar në import, goditjet janë më të ashpra si në buxhetet e konsumatorëve dhe ato të kompanive.

Para tre muajsh, artikujt bazë të shportës, duke përjashtuar frutat si: 1 litër vaj, 1 bukë 800 gramë, 1 kg oriz, 1 kg sheqer, 100 gramë kafe, 1 shishe ujë 1,5 litra, 10 kokrra vezë, 1 kg patate, 1 kg domate, 1 kg kastravecë kushtonin gjithsej 940 lekë në tregjet e pakicës në Tiranë. Të njëjtët artikuj në ditët e para të shtatorit kushtonin 1170 lekë, ose 24% më shumë. Krahasuar me fillimin e vitit, çmimet në artikujt bazë të shportës u rritën me 30% në tregjet e pakicës.

Në gusht, Indeksi i Çmimeve të Konsumit (IÇK), apo inflacioni, i cili mat ndryshimin e çmimeve të mallrave për një grup produktesh bazë, arriti në 2.4%, niveli më i lartë ky që nga janari 2017. Që prej vitit 2012, inflacioni është luhatur afër 2%, duke arritur përkohësisht vetëm në janar 2017 në 2.8%, afër objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Rritja me shpejtësi e çmimeve në një spektër të gjerë artikujsh, sidomos tek lëndët e para me ndikim zinxhir në treg (si nafta, metalet dhe gruri) i kanë zënë në befasi, konsumatorët, bizneset dhe politikëbërësit, pas një dekade ku shqetësimet e inflacionit ishin zhdukur. Pandemia Covid-19, e cila ka goditur zinxhirët e prodhimit, e kombinuar me kërkesën e lartë post-karantinë dhe ndikimet klimatike, i shtrenjtoi çmimet e mallrave kudo në botë në nivelet më të larta të dekadës.

Ndryshimi i çmimeve, i njohur si inflacioni, monitorohet dhe mbahet nën kontroll nga Bankat Qendrore, që e kanë si funksion kryesor ligjor. Ato e zbusin rritjen e çmimeve, duke rritur normat e interesit si një mjet që frenon paranë në qarkullim e për rrjedhojë, kërkesën për mallra. Në vendin tonë, Banka e Shqipërisë e monitoron inflacionin dhe ka objektiv një rritje të përgjithshme të çmimeve rreth 3% në vit, nivel i cili pritet të arrihet vitin e ardhshëm, sipas një shpjegimi të posaçëm nga Banka për “Monitor”.

Banka shpjegoi se nuk ka mjete për të frenuar një valë çmimesh që vjen nga ndryshimet në tregjet ndërkombëtare, por tha se ecuria afatgjatë e inflacionit në vend përcaktohet më së shumti nga dinamika e zhvillimeve të brendshme si kërkesa, përmirësimi gradual i pozicionit ciklik. Këto trende do të shoqërohen me rritjen e punësimit, pagave dhe kostove të prodhimit, të cilat përcaktojnë dinamikat e inflacionit në afatin e mesëm. “Në të kundërt, inflacioni i importuar është një përbërës i inflacionit total mbi të cilin politika monetare nuk ka ndikim në afat të mesëm dhe luhatjet e të cilit përbëjnë përgjithësisht goditje oferte me ndikim të përkohshëm” – shpjegoi Banka.

Por teksa në aspektin makroekonomik, lëvizjet e çmimeve duken të monitorueshme, në ekonominë reale, sidomos tek 20 përqindëshi i popullsisë me të ardhura të ulëta dhe bizneset importuese, ka krijuar shqetësime. Gati 38% e shqiptarëve, sipas INSTAT, ishin të privuar nga varfëria materiale më 2019, ndaj rrezikojnë të zhyten në varfëri nga çmimet e larta që po ofrohen.

Në afat të shkurtër, qeveria përfiton nga rritja e çmimeve, duke mbledhur më shumë taksa, të cilat ndikojnë në përmirësimin e deficitit fiskal dhe uljen e borxhit. Por në afat të gjatë, çmimet e larta do të sillnin rritjen e normave të interesit, të cilat e ndikojnë negativisht borxhin publik, sidomos në Shqipëri, e cila ka treguesin 76% të PBB-së (deri në fund të 2020-s, sipas Ministrisë së Financave), një nga nivelet më të larta të vendeve në zhvillim./Burimi:Monitor