Sa para i ka dhuruar bota Shqipërisë

795 0

Ndihma e huaj është si një maskë oksigjeni për një ekonomi që përpëlitet. Gjatë të gjithë historisë së saj moderne, Shqipëria përveç periudhës së viteve 1970-1980 (ku vendi u izolua dhe eci me praktikën “t’ia dalim me forcat tona”), është mbështetur fort tek ndihma e huaj.

Ndryshe nga çfarë e mendon Çmimi Nobel për ekonominë, Angus Deaton, se ndihma e huaj bën më shumë dëm se mirë, se i vret më shumë se i ndihmon të varfrit, çdo ndërprerje e kësaj ndihme për Shqipërinë ka rezultuar katastrofike, e njëjtë me mungesën e oksigjenit tek njeriu.

Izolimi i Shqipërisë gjatë kohës së komunizmit e la Shqipërinë me trastën bosh, që nga ushqimi deri tek nevojat më bazike të jetesës. Duke u gjetur ngushtë, vendi i ktheu sytë nga Perëndimi, ku vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian; si Italia, Greqia por dhe Turqia ishin ndër të parët që ofruan ndihmë.

Sipas të dhënave nga Libraria e Kongresit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekonomistët perëndimorë përllogaritën që në vitin 1992, menjëherë pas rënies së komunizmit, vendit i duheshin afro 500 milionë dollarë amerikanë për ushqime, produkte të konsumit të përditshëm dhe material për fabrikat.

Asistenca e huaj ishte tejet e madhe. Në vetëm pesë vitet e para të demokracisë (1992-1996), Shqipëria mori 1.525 miliardë dollarë amerikanë, ose 475 dollarë për frymë në ndihmë totale, nga e cila 68% ishin grante zyrtare.

Shqipëria hyn në kategorinë e atyre vendeve që ka marrë si ndihmë monetare ashtu dhe ndihmë në të mira materiale (si ushqime apo pajisje) nga të huajt. Kjo pasi ndihma e huaj jepet në dy forma. Në grante dhe në kredi të buta që merren nga sektori zyrtar me synimin që të promovohet zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e vendit.

Në periudhën 2008-2012, asistenca e huaj e dhënë për Shqipërinë kapi shifrën e 1.56 miliardë euro. Në fillim grantet përbënin përqindjen më të lartë të të gjithë ndihmës, për të rënë më pas, duke ia lënë vendin kredive të buta që erdhën në rritje.

Pjesa më e madhe e kredive kanë ardhur nga donatorë të shumëfishtë që janë orientuar drejt sektorëve me rëndësi në vend; si infrastruktura, energjia, shëndeti, edukimi dhe reforma sociale.

Në vitin 2008, për shkak dhe të rritjes ekonomike, Shqipërisë iu dha statusi i një vendi me të ardhura të mesme dhe si rrjedhojë nuk mund të përfitojë më nga Shoqata Ndërkombëtare Zhvillimit (IDA) kredi koncesionare me interes zero, por u kualifikua për marrjen e kredive tregëtare nga IBRD.

Duke dhënë në këtë mënyrë sinjale pozitive për investitorët dhe tregjet ndërkombëtare që lidhen me të ardhmen ekonomike të vendit.

Shqipëria është mbështetur nga 22 donatorë të mëdhenj që kanë financuar 300-350 projekte, që e bëjnë vendit të listohet ndër 10 vendet evropianë që përfitojnë nga asistenca e huaj.

Donatorët më të mëdhenj kanë përbërë historikisht Komisioni Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Gjermania, por dhe Japonia. Gjatë periudhës 2000-2010 Komisioni Evropian ka dhënë afro 545 milionë Euro grante dhe EIB, WB, EBRD, CEB and IDB (më shumë se 1,021 miliardë Euro në formë kredie), që së bashku përbëjnë 42% të ndihmës së huaj.

Gjatë së njëjtës periudhë 5 donatorë bilateralë kanë qenë Gjermania (me më shumë se 347 millionë euro në grante dhe kredi), Italia ( me më shumë 309 million euro në grante dhe kredi), Japonia (me më shumë se 142 millionë Euro), USA (me më shumë se 123 millionë Euro në grante) dhe Hollanda (me më shumë se 84 millionë euro), që së bashku përbëjnë më shumë se 27% të totalit të ndihmës së huaj gjatë viteve 2000-2010.

Në vitet e funidt përveç granteve dhe kredive të buta, Shqipëria ka marrë dhe shumë asistencë teknike, për të qenë më afër me standardet e Bashkimit Evropian, për të cilin aderon.

Por ana tjetër e medaljes është se përveç të mirave që ka ndihma e huaj duke ulur deficitin buxhetor, ajo ngre dhe borxhin publik. Pasi të marrësh ndihmë të huaj, do të thotë rrisësh borxhin.

Shqipëria momentalisht ka nivelin më të lartë të borxhit publik në raport me PBB ndër vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore, me përjashtim të Hungarisë. Borxhi i Shqipërisë ka arritur në nivelin e 72.2%, një rekord që tregon për një rritje shqetësuese në vitet e fundit. Rritja, e cila ka filluar që nga viti 2008 duke kapur vlerën e 71% në 2014, ka ardhur si rezultat i politikës fiskale pa shumë kontroll nga nevoja për të mbështetur kompaninë shtetërore të prodhimit të energjisë, si dhe nga ndikime të jashtme.

Kjo është arsyeja pse rritja e efikasitetit të ndihmës së jashtme në vend kërkon, para së gjithash, qeverisje të mirë të burimeve të saj nga qeveria, pasi vendi ka nevojë për të nxitur rritjen ekonomike.

Nuk jemi në stadin e viteve 90 kur paratë derdheshin lumë, e ku na mungonte gjithçka. Sot më shumë se kurrë kërkohen investime në sektorë kyç si energjia, infrastruktura dhe bujqësia, të cilat do të përfitonin shumë nga ndihma e donatorëve të huaj, duke u kthyer në motor zhvillimi të vendit./Agroweb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.