Shqiptarët Më Të Pakënaqurit të Ballkan për Situatën Ekonomike

382 0

Shqipëria është udhëheqësja rajonale, me popullsinë më të pakënaqur me mënyrën sesi po ecin gjërat në ekonominë e tyre. Barometri i Ballkanit, një publikim i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, bën të ditur se pjesa më e madhe e vendeve të rajonit kanë shënuar një rritje të numrit të atyre që shprehen të kënaqur, një tregues i fortë se efektet e rritjes në ekonomi po përkthehen në përfitim edhe për qytetarët, por e kundërta ka ndodhur me vendin tonë.

“Shqipëria është liderja rajonale në përqindje të atyre që janë të palumtur, plot 42 për qind e popullatës, teksa në Kosovë, më pak se një çerek apo 23 për qind e të anketuarve janë të pakënaqur, duke e kthyer këtë në rajonin më të kënaqur ekonomikisht” thuhet në publikim.

Sa i takon situatës financiarë në 12 muajt në vazhdim,18 për qind e shqiptarëve presin që të jetë më keq ndërsa 54 për qind nuk presin asnjë ndryshim.

Më mirë e presin 25 për qind e të anketuarve.

Duke renditur problematikat që shqetësojnë vendet nga papunësia te korrupsioni dhe mbrojtja e natyrës dhe trashëgimisë, barometri i Ballkanit tregon se papunësia, zhvillimi ekonomik mbajnë rekordin e shqetësime në rajon. Korrupsioni ndërkohë renditet i treti, por prevalenca e tij në rajon po rritet dhe në anketën e fundit me 31 për qind në raport me atë të vitit 2018.

Në Mal të Zi, qytetarët janë të shqetësuar nga papunësia në 55 për qind, ndërsa në Shqipëri situata ekonomike është ajo që shqetëson 53 për qind.

Çështjet politike janë ato që shqetësojnë Kosovën me 16 për qind dhe Shqipërinë me 15 për qind.

Korrupsioni në Shqipëri vlerësohet si shqetësim në 33 për qind të të anketuarve.

Barometri tregon se të paktën për Shqipërinë ka ndryshuar disi stereotipi sa i takon frikës.

Në një prej pyetjeve të anketës, e cila specifikon se kur mendoni për Ballkanin Perëndimor, çfarë ndjenje ju vjen në mendje, vetëm 5 për qind e të anketuarve janë përgjigjur me “frikë”.

Kjo është përqindja më e ulët e kësaj përgjigje në gjithë rajonin teksa Serbia ka përqindjen më të lartë në këtë përgjigje me 26 për qind. 38 për qind janë përgjigjur lidhur me Shqipërinë se ju vjen në mendje “shpresa” dhe 28 për qind besimi. Vetëm 16 për qind janë përgjigjur me “dyshim”./Burimi:Monitor