Subvencionim 50% peshkatarëve për rinovimin e pajisjeve për anijet e peshkimit

528 0

Një tjetër iniciativë në mbështetje të sektorit të peshkimit pritet të aplikohet në 2021.

Qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian, adresojnë në buxhetin e vitit 2021, një grant me vlerë 1.5 milion euro për subvencionimin me 50% të peshkatarëve, për shpenzimet për rinovimin e të gjithë pajisjeve për anijet e peshkimit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, për vitin 2021 instrumenti i rradhës në ndihmë të sektorit të peshkimit është edhe program i granteve të financuara nga BE për rinovimin e pajisjeve të anijeve të peshkimit, me vlerë 1,5 milion euro.

Peshkimi mbetet një nga sektorët me rritjen më të shpejtë në ekonominë shqiptare. Për gjashtë muajt e parë të vitit 2020 rritja e eksporteve në vlerë është 24.5% dhe në peshë 31.6%, kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Përjashtimi i naftës së peshkimit nga taksat, heqja e TVSH për materialet e peshkimit, si dhe investimet në infrastrukturë, janë ndërhyrjet e duhura që kanë dhënë rezultate në këtë sektor.

Ndërkohë që buxheti 2021 për peshkimin, shënon rritjen më të madhe krahasuar me programet e tjerë me plot 201% dhe adreson investime për kantieret e rindërtimit të 3 porteve të peshkimit në Durrës, Vlorë dhe Shëngjin me financim nga kredia italiane prej 25 milionë euro.

Gjithashtu mbështetja do të vijojë për ngritjen e infrastrukturës së markatove të peshkimit, ku është planifikuar përfundimi i ndërtimit dhe funksionimit të markatos së peshkut në Vlorë./Burimi:Atsh