Përfundon cikli i trajnimeve dhe seminareve informuese në rajonin e Dibrës, në kuadër te “Thirrjes së Dytë” të Programit IPARD, organizuar nga partnerët zbatues të projektit ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë mbi “Standardet dhe Çertifikimin e Produkteve Bujqësore, Ngritjen e Kapaciteteve në Përthithjen e Fondeve dhe Strategjinë e Marketingut në Mbështetje të Rritjes Ekonomike dhe Tregtisë së Agrobizneseve”, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Informacionet e mundësuara përmes këtyre seminareve, synuan trajnimin e agrobizneseve, fermerëve dhe agropërpunuesve në Dibër, për të zhvilluar kapacitetet e tyre në përthithjen e fondeve të Programit IPARD, duke rritur kështu potencialisht shkallën e suksesit të aplikimeve.

120 agrobiznese morën pjesë në trajnim, 70% e të cilëve i përkasin grupmoshës 30 – 40 vjeçare. Me mbështetjen dhe drejtimin profesional të stafit të këtij projekti, pjesmarrësit u informuan jo vetëm mbi përfitimet që IPARD sjell, por edhe mbi mënyrat se si mund të aplikohet me korrektësi dhe sukses në skemat e këtij programi.

Konkretisht, përpos procedurës së aplikimit dhe dokumentacionit të nevojshëm përgjatë gjithë fazave të tij, pjesë shumë e rëndësishme e këtij trajnimi ishte informacioni i mundësuar mbi tre masat kryesore në të cilat është e fokusuar kjo “Thirrje e Dytë” e programit IPARD, që janë:

  • Masa 1: “Investimet në asetet fizike të fermave bujqësore”
  • Masa 3: “Investimet në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore”
  • Masa 7: “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i biznesit”

 

 Çfarë është instrumenti IPA dhe ku konsiton Programi IPARD

Instrumenti për Asistencë Para-Aderimit (IPA) është mjeti kryesor përmes së cilit Bashkimi Europian i siguron vendeve aspirante mbështetje financiare dhe teknike. Pjesë e këtij instrumenti është komponenti për Zhvillimin Rural (IPARD) që i mundëson vendeve kandidate asistencë në implementimin e programeve shumëvjeçare, duke kontribuar kështu në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale.

Objektivat kryesorë të Programit IPARD janë:

  • Mbështetja e investimeve në sektorin agro-ushqimor, me synim përmirësimin e konkurrencës, përmbushjen e standardeve të BE-së dhe respektimin e standardeve të mbrojtjes së natyrës dhe mjedisit.
  • Mbështetja e investimeve në zonat rurale, me synim diversifikimin e ekonomisë rurale dhe krijimin e bizneseve që çojnë në përmirësim të mundësive të punësimit dhe të përfshirjes sociale./AgroWeb.org