Tregu i huaj po tregon interes në rritje për eksportet e prodhimeve bujqësore  “Made in Albania”, ku dominon kërkesa për domatet shqiptare dhe kastravecin, krahas produkteve të tjera.

Nëse do t’i referohemi sasisë së kastravecit të eksportuar në tregjet e huaja, rezulton se ky tregues është 20 fishuar në harkun e 10 viteve të fundit.

Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2019 eksportet e kastravecit u rritën në mbi 22.2 mijë tonë, kundrejt 1.4 mijë tonëve që u eksportuan në vitin 2010.

Ndërsa importi i kastravecit është ulur me 50% për periudhën në fjalë.

Nga 1 mijë tonë importe të kastravecit në vitin 2010, në fund të vitit të kaluar importet e përgjysmuan në 486 tonë, bën të ditur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Shifrat tregojnë se bujqësia po rritet me hapa të shpejta dhe cilësore duke ndikuar edhe në përmirësimin e bilancit tregtar të eksport -importeve që është ulur aktualisht në raportin 3 me 1, në favor të eksporteve shqiptare.

Qeveria po mbështet bujqësinë me financime përmes programit IPARD dhe Skemës Kombëtare për rritjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, si dhe agropërpunimit dhe agroturizmit, që prodhojnë të ardhura dhe zhvillim të ekonomisë rurale.

Kastraveci që teknikisht është frut, renditet në vendin e katërt ndër perimet e kultivuara në botë. Atë e gjejmë kudo dhe mbi të gjitha rritja e tij në kushtet e shtëpisë është shumë e lehtë. Kastravecat lulëzojnë edhe në saksi, për sa kohë kanë një strukturë mbajtëse që lejon bimën të zvarritet.

1. Kastravecat mbrojnë trurin
Kastravecat përmbajnë flavanolë që luftojnë inflamacionin dhe luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e trurit. Për më tepër, ato përmirësojnë kujtesën dhe mbrojnë qelizat nga dëmtimet e moshës.

2. Luftojnë inflamacionin
Kastravecat ndihmojnë në uljen e reagimeve inflamatore në organizëm. Ekstraktet e kastravecit luftojnë inflamacionin, duke parandaluar aktivitetin e enzimave që e shkaktojnë atë.

3. Antioksidantët
Kastravecat përmbajnë shumë antioksidantë, përfshirë vitaminën C dhe beta karotenin. Ato janë të pasur me flavonoidë si kuercetina, apigenina, luteolina dhe kaemferoli që ofrojnë vlera të shtuara për organizmin.

4. Mbështesin shëndetin e zemrës
Kastravecat përmbajnë kalium, që ka lidhje me uljen e tensionit të gjakut. Ekuilibrat e duhura të kaliumit brenda dhe jashtë qelizave janë thelbësore për funksionin normal të organizmit.

5. Freskojnë gojën
Kafshimi i një kastraveci largon bakteret e gojës që shkaktojnë erën e keqe të saj. Ngrënia e kastravecave ndihmon në shuarjen e nxehtësisë së tepërt në stomak që mendohet të jetë shkaktari kryesor i aromës së rëndë.