Vendosen Sot Çmimet e Reja të Ushqimeve: Vaji i Lulediellit Deri në 430 lekë për Litër

453 0

Nuk ndalet në tregjet e huaja rritja e çmimit të vajit të lulediellit. Importuesit kryesore në vend pohojnë se po përballen me çmime furnizimi 360 lekë deri 430 lekë për litër.

10 ditë më parë bordi i kontrollit të çmimeve për produktet e shportës vendosi se nga importuesit çmimi i vajit me shumicë do të shitet 209 lekë për litër, ndërsa për konsumatorin 305 lekë për litër. Sot do të mbahet një tjetër mbledhje e bordit për vendosjen e çmimeve të reja. Përveç shtrenjtimit të çmimit në disa vende të Europës kanë nisur kufizimet ndaj importuesve për furnizime deri në 200 ton. Maqedonia e Veriut ka kufizuar importet e vajit për Shqipërinë, duke garantuar rezervat për popullatën.

Çfarë thonë importuesit dhe ekspertët?

Importuesit thanë për “Monitor” se prej dy ditësh kanë nisur pranë bordit faturat e zhdoganimit të mallit, duke përfshirë edhe llogaritjen e kostove të TVSH-së, transportit, magazinimit etj për përcaktimin e çmimeve të reja.

Përfaqësuesi i kompanisë të vajit “Bomira”, Ylli Aliaj thotë se aktualisht po importon vajin e lulediellit vetëm nga Bullgari. Furnizimet e para pak ditëve prej tij në sasinë e 200 ton vaj janë blerë me çmim 360 lekë për litër. Importuesit po tregtojnë vajin e lulediellit nën kosto. Sipas Ylli Aliajt për çmimin e vajit të shitur 209 lekë për litër me shumicë për 10 ditë, furnizimet e importit ishin kryer me çmim 280 lekë për litër.

“Lufta Rusi-Ukrainë vetëm sa e avancoi krizën e çmimeve dhe mungesës të vajit të lulediellit. Rritja e çmimeve të vajit, nëse nuk do të kishte nisur lufta do të shpërthente në muajin maj, për shkak të rënies 40% të të korrurave të lulediellit. Bordi nuk do të arrijë të mbajë për një kohë të gjatë frenimin e çmimeve, pasi është e pamundur të kontrollosh çmimet në një shtet të huaj. Rritja e çmimit vjen nga jashtë. Situata me furnizimet nuk është normale”, pohon Aliaj.

Edhe administratori i kompanisë PDF sha, Aredi Sado tha për Monitor se çmimi i vajit me shumicë ka arritur 430 lekë për litër. “Aktualisht të vetmet mundësi blerjeje janë me rreth 430 lekë për litër i ambalazhuar, duke përfshirë edhe TVSH-në. Po shohim për furnizime më të lirë, por është shumë e vështirë. Nga furnizuesit e huaj sasitë që ofrojnë janë jo më shumë se 200-300 ton”.

Burimi: Revista Monitor