Italia Bllokon Oriz me Insekte – Shqipëria Importon Nga i Njëjti Vend

944 0
Autoritetet italiane kanë refuzuar kalimin e ngarkesave me oriz pakistanez, duke mos lejuar shkarkimin në portet e tyre.

Një sasi e konsiderueshme orizi, e importuar nga Pakistani është bllokuar nga autoritetet italiane duke u klasifikuar si i pasigurtë për shëndetin e konsumatorëve italianë.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org të marra nga Sistemi i Alarmit në BE për Kontrollin e Sigurisë së Produkteve rezulton se ky rast ka ndodhur në datë 19 shtator 2017.

Strukturat e posaçme italiane kanë refuzuar kalimin e ngarkesave me oriz pakistanez në pikën kufitare, duke i kthyer mbrapsht.

Referuar të njëjtave të dhëna, AgroWeb.org mësoi se pas kontrollit të strukturave përkatëse në pikën kufitare ku po tentohej të kaloheshin ngarkesat rezultoi se sasia e orizit pakistanez, ishte e infektuar me insekte.

Menjëherë autoritetet italiane kanë vendosur bllokimin e orizit pakistanez.

Orizi pakistanez në tregjet shqiptare

Orizi është një nga drithërat që përfshin një konsum të lartë në Shqipëri. Është pjesë e pandashme e kuzhinës shqiptare dhe një nga pjatat që përgatitet më shpesh në familje e restorante.

Lajmi për bllokimin e orizit të infektuar me insekte nuk prek drejtpërdrejtë Shqipërinë. Por, sërish ai mbetet shqetësues për konsumatorët shqiptarë.

Të dhënat zyrtare doganore të importeve shqiptare e rendisin Pakistanin si njërin nga vendet nga ku e ka origjinën orizi i tregtuar në Shqipëri dhe Kosovë.

Por A Duhet Të Shqetësohen Shqiptarët?

Në Shqipëri nuk ka njoftime zyrtare të ndalimit të orizit pakistanez për të shkak të infektimit me insekte. Por, shembujt që vijnë nga vendet fqinjë, përbëjnë një lloj alarmi që duhet të mobilizojë edhe më shumë autoritetet përkatëse shqiptare.

Por në AgroWeb.org brenda pak muajsh janë regjistruar një dyzinë rastesh të ankesave nga konsumatorët në lidhje me cilësinë dhe origjinalitetin e orizit në treg. Të gjitha rastet janë njoftuar tek autoritetet shtetërore.

Në vetëm një muaj nga vendet e BE-së janë me qindra rastet e refuzimit të produkteve ushqimore. Bllokimi ndodh në rastet kur tek produktet konstatohet rrezikshmëri për shëndetin.

Në Shqipëri ka pasur vetëm një rast të tillë.  Në maj të 2017 u bllokuan 26 ton mish pule nga Brazili i kontaminuar me salmonelë.

Pas rasteve të bllokuara nga vendet e BE ashtu si edhe rastit të vetëm në Shqipëri, pyetja që me të drejtë ngrihet për konsumatorët shqiptarë është thelbësore.

Sa të sigurtë jemi vërtetë mbi kontrollin e produkteve të huaja ushqimore që importohen nga jashtë dhe konsumojmë përditë në tryezat tona?/AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.